Angjelin Preljocaj mahnit publikun shqiptar me “Un trait d’Union”

5 Tetor, 2017 - 4:20 pm

Mes emocionesh dhe duartrokitjesh pafund, Pallati i Koncerteve priti mbrëmjen e kaluar premierën botërore të koreografit të famshëm, Angjelin Preljocaj, me idenë e jetës së njeriut brenda universit.

Premiera ndërkombëtare e krijimtarisë së tij të re që deri dje mbahej “sekret”, shoqërohet nga rimarrja e duo-s mashkullore të vitit 1989 “Un trait d’Union”, një kërcim trup me trup “poetik dhe pasionant” i shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe i interpretuar nga Glenn Gloud.

Në shfaqjen e Preljocaj ishin të pranishëm perfaqësues të lartë të politikës shqiptare si, kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Francës në Shqipëri etj

Pjesa e parë e programit solli në skenë dy kërcimtarë, një balet të krijuar në vitin 1989. Krejt e kundërta e ‘Dasmës’ e pranishme në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe duke ardhur në këtë mënyrë me një krijim të ri. Po ashtu, duke e shfaqur këtë të fundit jashtë pavionit të zi,
vendit të krijimit të Preljocaj, sikurse është shprehur ky i fundit.

Me një karrierë të çmuar ndërkombëtare, koreografi me origjinë shqiptare e nisi nga kryeqyteti shqiptar udhëtimin e premierës së veprës së tij më të fundit me titull “Still-life” (“Natyrë e qetë”).

Baleti i titulluar ‘Stil life’ zgjati 50 min dhe erdhi si një tablo e natyrës së vdekur, natyrës së qetë. Përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë, koreografi foli për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin, por edhe për kotësinë, një nga karakteristikat e njeriut postmodern.

Mjeshtri i baletit bashkëkohor, franko-shqiptari Angjelin Preljocaj foli më herët për premierën e tij botërore, duke nisur turin nga Tirana: “Trait d’Union & Création”.

“Sa herë vij këtu jam si në shtëpi, por si Shqipëria si Franca më kanë dhuruar shumë. Për këtë ndjehem sikur të kisha dy burime brenda shpirtit, secili kërkon dhe gjen rrugën për t’u shprehur brenda meje. Kur kthehem këtu jam shumë i gëzuar, sepse është diçka e rrënjosur, edhe është shumë e vërtetë. Jo më kot e kam zgjedhur këtë pjesë. Baleti flet për kohën që kalon, për jetën vdekjen dhe pasionin”.

Koreografi i “Preljocaj Balet”, kompanisë së krijuar nga ai dhe e njohur ndërkombëtarisht, tashmë në trupën e tij ka edhe një shqiptar tjetër, Redi Shtyllën, që performoi mbrëmjen e kaluar. Shfaqja u realizua me ndihmën e ambasadës së Francës dhe ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme