Angjelin Preljocaj solli fuqinë e baletit modern para bashkëkombësve të tij (FOTO)

8 Tetor, 2017 - 3:15 pm

Njerëzit që ishin të shumët në hollin e teatrit shkonin një e nga një të bënin fotografi me koreografin e madh. Ndërsa KultPlus, edhe njëherë solli emocionet e Preljocajt për Kosovën, por tash pas shfaqjes që u dha të shtunën mbrëma.

Sarandë Selimi
Fotografitë: Fahredin Spahija

Gjithçka nisi me pjesën ‘Viza lidhëse’ një krijim i vitit 1989. Madhështore. Duo mashkullore me lëvizje të thella që tregonin shumë. Një koordinim jashtëzakonisht i mirë mes dy balerinëve njëri nga Franca e tjetri shqiptar. Pak muzikë e goxha shumë lojë. Një kolltuk dhe një karrige ishte krejt ajo çfarë përmbante skenografia. E gjithë kjo nën krijimin e koreografit francez me origjinë shqiptare e me përmasa botërore Angjelin Preljocaj.

Për herë të parë në Kosovë, koreografi i njohur Preljocaj, përpos që erdhi vetë, ai solli edhe gjithsej gjashtë balerinë e dy pjesë baleti që publikun kosovarë e ngritën në këmbë me plotë 5 minuta duartrokitje. Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte e mbushur me njerëz, ndërsa vetë koreografi me një modesti të madhe qëndronte në lozhën e skenës së madhe duke vështruar balerinët që sollën Pasionin, Jetën dhe Vdekjen përmes premierës botërore ‘Un Trait d’Union & Création 2017’ apo ‘Një tipar i Bashkimit dhe Krijimi 2017-të’.

‘Stil Life’, ishte pjesa që nisi 10 minuta pas përfundimit të pjesës së parë. Gjashtë balerinë dolën në skenë një e nga një me lëvizje të ndryshme. Katër vajza e dy djem. Një orë rëre, një glob, një kurorë e mbretit, një kafkë, një zog dhe një ananas, me plotë 12 kutia. Krejt këto kishin lidhje me njëra tjetrën, gjithçka fliste për kohën që kalon, jetën, vdekjen, pasionin por edhe kotësinë, që është një nga karakteristikat e njeriut postmodern. Një stil shumë më ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim deri tash u shpalos përmes këtyre pikave të baletit ku Preljocaj, herë kishte futur muzikë të fuqishme e herë e kishte ndaluar krejt atë.

“Ishte një balet modern ku Angjelini ishte i pari në Evropë që ka nisë ta bëjë baletin modern dhe është i pranuar në gjithë publikun e botës. Kam ardhur special për ta përcjellë këtë shfaqje sepse çdoherë i kam përcjellë shfaqjet e tij. Publiku ishte shumë i mirë, e krejt kjo duke iu falënderuar Baletit Kombëtar të Kosovës, që këtij publiku ia ka bërë traditë edhe baletin klasik dhe atë modern”, tha për KultPlus koreografi Marsel Çollaku.

Nuk ishte vetëm Çollaku, ai që vlerësoi lartë këtë shfaqje dhe këtë koreograf. E gjithë audienca ishte mirënjohëse ndaj Angjelin Preljocajt, që erdhi edhe në Kosovë për të prezantuar mrekullinë që ka bërë si koreograf me këto shfaqje prej të cilave pamë pak nga bagazhi i tij i madh.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj ambasadës franceze që e ka sjellë një koreograf me renome botërore. Ky është koreografi më i njohur i kohës së sotme, e ka një stil të veçantë dhe publiku ynë e mirëpriti. E uroj Angjelin Preljocaj, për punën që e ka bërë, duke e pas parasysh që nuk i kemi kushtet me ato që është mësuar por ia doli për mrekulli. Unë që ditën e parë, që Angjelini e ka shikuar shfaqjen tonë dhe i ka pëlqyer ajo, ia kam bërë ftesën që të vijë tek ne. Ai as nuk e mohoi e as nuk e pohoi, unë ia bëra me dije që kemi nevojë për ndihmën e tij, nëse vjen përfiton edhe ai si shqiptar por edhe ne si shqiptarë”, u shpreh drejtori i Trupës së Baletit të Kosovës Ahmet Brahimaj, për KultPlus, ku edhe balerinët që ai i drejton u shprehën pëlqimin e tyre ndaj kësaj shfaqje dhe ndaj koreografit Preljocaj.

Njerëzit që ishin të shumët në hollin e teatrit shkonin një e nga një të bënin fotografi me koreografin e madh. Ndërsa KultPlus, edhe njëherë solli emocionet e Preljocajt për Kosovën, por tash pas shfaqjes që u dha të shtunën mbrëma.

“Publiku ishte shumë i mirë, aq i mirë sa edhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, jam i gëzuar që u njoftova me ta dhe jam i lumtur për krejt këtë organizim”, pohoi për KultPlus Preljocaj, i cili në pyetjen se a duhet Ballkani ta sheh shfaqjen e cila e përshkruan jetën dhe ka ‘luftë’ brenda saj ai u përgjigj me shumë humor.
“Unë e bëjë punën artistike dhe secili duhet të pastroj para derës se tij, pra unë ua lë njerëzve të vendosin se a dojnë ta marrin apo jo, unë punën time e kryej”, tha Preljocaj.

Krejt kjo mbrëmje u organizua nga Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Para kësaj Angjelin Preljocaj, këtë shfaqje e dha edhe në Shqipëri ku edhe atje u mirëprit ngrohtë nga bashkëvendësit e tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme