24 Shtator, 2024 - 9:07 pm
Drama e regjisores Eli Nura, “Anija nuk kthehet më”, i ka dhuruar emocione publikut në sallën e Teatrit “Dodona”. Nën interpretimin e aktorëve Hazir Haziri dhe Anisa Ismajli, shfaqja e ka përcjellë mesazhin e saj të fortë për pasojat që sjell lufta dhe si rrjedhojë, emigracioni i detyruar.
Në qendër të tekstit dramatik, është historia e dhimbshme e një familjeje, që detyrohet të braktisë atdheun, për të shpëtuar nga flakët e luftës. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.
E sjellë në formën e një leximi skenik, drama arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut, me dialogjet dinamike dhe rrëfimin emocionues të personazheve. Emigrimi për shkak të luftës, një histori e përjetuar nga shqiptarët e Kosovës, që ende mbetet e freskët, pasqyrohet me thellësi në dramën “Anija nuk kthehet më”.
Dy personazhet, Amali dhe Noa, përjetojnë një krizë të rëndë në jetën e tyre, të shkaktuar nga një udhëtim me anije, ku nuk arrijnë dot të marrin edhe fëmijët. Shfaqja sjell tension të fortë me dinamikën e ngjarjeve, që nxjerrin në pah karakteristikat e personazheve, brengat e tyre dhe rrugëdaljet që ndjekin për t’u bashkuar me fëmijët e tyre.
Gazetarja dhe kritikja teatore Abana Beqiri e quan këtë dramë një teks universal. “Ata janë dy emigrantë të zakonshëm, nga ata që ka gjithandej botës së madhe, të tillë që i ikin krizave politike, luftrave, varfërisë… Noa dhe Amali mund të jenë nga secili vend, ata janë pjesë e kësaj bote të trazuar dhe të çmendur. Ata janë emigrantë! Të huaj! Ata kanë atdhe, kanë emra, kanë histori e etni të tyret, por historia e jetës së tyre është universale. Pikërisht ky theks universaliteti e bën tekstin dramatik më interesant e më intrigues.”, është shprehur ajo në vlerësimin e saj për dramën.
Autorja dhe regjisorja Eli Nura, vlerësoi lart përkushtimin e aktorëve, që edhe pse për një kohë të shkurtër, arritën të depërtonin te publiku. “Është një dramë e dhimbjes dhe sakrificës, familjes dhe braktisjes së vendit, luftës dhe pasojave tragjike që shkakton”, është shprehur Nura.
“Anija nuk kthehet më”, e mbështetur nga komuna e Prishtinës, u dha premierë në kuadër të Festivalit “Summer Cult”, që mbahet çdo vit në Prishtinë.
Kjo vepër dramatike, u përzgjodh në mesin e shumë dramave të tjera nga vende të ndryshme të botës, për t’u vënë në skenë në Festivalin Ndërkombëtar të Athinës në vitin 2022, ku u prit me vlerësime të larta nga kritika teatrore./ KultPlus.com