15 Shkurt, 2021 - 10:35 am
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore ka zhvilluar koncerte në skena të ndryshme të vendit tonë.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka publikuar disa fakte për jetën artistike. Në këtë material të institucionit publikohen materiale të Ansamblit Popullor gjatë katër viteve të fundit.
“21 janar 2017- Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore performoi në Lushnjë, me rastin e 97-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. 23 shkurt 2017, me ftesë të Bashkisë Mirditë, Ansambli dhuroi një shfaqe të larmishme me këngë popullore të trevave të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Abat Doçit.
22 prill 2017 – Ansambli Popullor në qytetin e Përmetit me rastin e “Çeljes së sezonit turistik Përmet”, ku u zhvilluan aktivitete të ndryshme dhe Ansambli performoi me këngë e valle të krahinave të ndryshme të vendit dhe në fund të koncertit dy numra me këngë lirike së bashku me sazet e Përmetit”, shkruan institucioni në materiale.
Në 6 maj 2018, Ansambli Popullor performon në Vaun e Dejës në festën tradicionale të “Ditës së Luleve”, në 28 maj 2018 merr pjesë në “Javën e Ali Pashës” në Tepelenë, 15 qershor 2018 mban koncert në Rrëshen, 22 qershor 2018, koncert i 60 vjetorit të Ansamblit Popullor në Llogara në kuadër të “Opera Summer Tour”.
Më 22 qershor 2018, Ansambli Popullor vijoi me koncertin e 60- vjetorit të Ansamblit në Sarandë. 23 korrik 2018, Ansambli Popullor performoi në “Sokakun e të marrëve”, në sheshin e shëtitores në Himarë. Në 17-18 tetor 2018, Ansambli Popullore mbylli natën e fundit të festivalit “Oda Dibrane” në Dibrën e Madhe dhe vijoi me koncertin në Peshkopi.
Në 28 tetor 2018 performon me koncertin “60 vjet Ansambël Popullor”, në Elbasan. Në datë 21 janar 2019 zhvillon koncertin në Lushnjë, me rastin e 99 -vjetorit të Kongresit të Lushnjës dhe në 24 shkurt po të këtij viti trupa e madhe e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, orkestra e TKOB, artistët më të mirë të muzikës shqiptare, çuan në Shkodër grand galanë “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Ansambli shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com