18 Shkurt, 2020 - 11:59 am
Xhemile Hysenaj
Ditën që lamë pas, Kosova festoi 12 vjetorin e pavarësisë, ku u manifestua në mënyra të ndryshme, kush me muzikë, me valle, me filma e me shfaqje teatrale duke shpalosur kështu rrugëtimin e shtetit tonë qysh nga koha e luftës e deri në ditët e sotme, shkruan KultPlus.
Për të festuar këtë ditë të madhe të shtetit tonë, Ansmabli i këngëve dhe valleve ‘Shota’, interpretoi para një publiku të madh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një interpretim ky që entuziazmoi publikun jashtë mase.
Ansambli ‘Shota’ kishte përgatitur këngë e valle shqiptare, të cilat nuk kishte se si të mos ngjallnin ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm. Filloi me ‘Lulet e Marsit’, për të vazhduar më pas edhe me pika muzikore nga Mirvete Bajrami, Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Donika Rushiti e Riza Bytyqi, të cilët i kënduan Drenicës, Vraninës, Prekazit e atdheut në përgjithësi. Këngë këto që shpalosnin sakrificën e shqiptarëve e luftën për liri ndër vite.
Ndërsa vallet ishin të ndryshme, performuan valle dibrane e valle me motive të Hasit, gratë me xhubleta shqiptare, burrat me tirq, ku përmes lëvizjeve të tyre dukej sikur i vallëzonin kombit e i flisnin publikut me një gjuhë që vetëm shqiptarët do ta ndjenin e kuptonin.
Nuk ka shumë kohë që ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka ndërruar jetë. Ansambli i këngëve dhe i valleve ‘Shota’ ka bashkëpunuar shumë herë me Pagarushën, figurë të cilën e nderuan edhe gjatë homazheve që u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E për ta nderuar figurën e saj edhe një herë, ‘Shota’ këndoi këngën ‘Nji lule qi m’ka çel” të Nexhmijës.
Pas përfundimit të koncertit i cili u pasua me duartrokitje të zgjatura, Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i Ansamblit, tregoi për KultPlus se ishte mjaft i kënaqur me performancën e ‘Shotës’ për këtë 12 vjetor të pavarësisë së Kosovës edhe pse deklaroi se mungesa e një salle adekuate për Ansamblin është mesë e nevojshme pasiqë një mungesë e tillë u shkakton ngarkesa shtesë për realizimin e performancave të caktuara.
”Ishte një performancë mjaft e suksesshme, ‘Shota’ është mjaft profesionale në punën e vet. Suksesi u vërejt edhe tek reagimi i publikut”, potencoi ai për KultPlus.
Ansambli ‘Shota’ është gjithmonë i pranishëm në koncerte e manifestime të ndryshme, qofshin ato shtetërore, kombëtare apo fetare, duke lënë gjithmonë mbresa të mëdha tek publiku. Edhe mbrëmë emocionet e publikut ishin tejet të pranishme, ata me duartrokitje e brohoritje që nuk u ndalën për minuta të tërë, përcollën ‘Shotën’ pas përfundimit të performancës së tyre.
Koncerti i mbrëmshëm ishte nën organizmin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës kishte përgatitur edhe shumë aktivitete tjera që përfshinin muzeun, galeritë e filmin. / KultPlus.com