8 Nëntor, 2017 - 6:00 pm
Gili Hoxhaj
Në korridorin e objektit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe valleve “Shota” dëgjohej kënga dhe tingujt e daulles, që tregonin se ky ansambël më shumë përkushtim dhe punë intensive ka filluar përgatitjet për të sjellë një program festiv në kuadër 28 Nëntorit, ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.
Premiera e këtij koncerti do të shfaqet më 26 nëntor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drejtori i këtij Ansambli Shefqet Gjocaj tregoi për KultPlus se ky koncert përveçse vije për të shënuar Ditën e Flamurit, ka edhe një dedikim tjetër dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Ky koncert i dedikohet edhe 20 vjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit, dhe si i tillë do të shfaqet edhe në qendra të tjera të Kosovës. Ansambli planifikon një koncert në Gjakovë me 24 nëntor, në Skenderaj me datën 27 nëntor dhe më 28 Nëntor në Gjilan. Gjilani në këtë vit do të jetë kryeqendër shqiptare e shënimit të ditës së Flamurit, ku do të jenë të ftuar autoritet më të larta shtetërore të Kosovës, Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, pasi që më këtë rast do të bëhet edhe zbulimi i përmendores së heroit të kombit Idriz Seferi.
Gjocaj njoftoi se ky do të jetë një program i formatit të madh ku përveç valleve do të ketë edhe këngë korale dhe solistike, mirëpo celula apo bërthama e programit do të ndërtohet për rreth këngës “Heu Drenicë, heu trungu i lisit”. Në koncertin e datës 26 nëntor që do të mbahet në Prishtinë, Gjocaj tregoi se do të jetë i ftuar edhe grupi polifonik “Bilbili” nga Vlora. Gjithashtu drejtori i ansamblit “Shota” tregoi për KultPlus se Ansambli do të merr pjesë edhe në një program që organizohet nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, me rastin ndarjes së e çmimit “Hasan Prishtina”.
“Ne kemi edhe një aktivitet tjetër që do mbahet në patronatin e kryeministrit të Kosovës që do të mbahet në Sheshin 21, me datën 25 nëntor , me rastin e ndarjes së çmimit “Hasan Prishtina”, që do t’i ndahet publicistit, gazetarit dhe veprimtarit nga Shqipëria, Marin Mema. Sipas Gjocajt, në kuadër të këtyre organizimeve është ende opsionale që më datën 23 të mbahet një koncert në Prizren ose në Mitrovicë, por mbetet të merret vendimi nga autoritetet lokale, mirëpo ende nuk ka ndonjë vendim për shkak të zgjedhjeve lokale.
“Procesi i zgjedhjeve lokale na ka vështirësuar organizimin në disa qendra, sepse e kemi pasur të vështirë të kontaktojmë me autoritetet lokale të këtyre qyteteve për shkak të angazhimit të tyre në zgjedhjet lokale”, përfundoi Gjocaj./KultPlus.com