13 Mars, 2022 - 1:00 pm
Në kuadër të Muajit të Teatrit ministrja e Kulturës ka përkujtuar sot aktoren Antoneta Papapavli, e cila kujtohet për karakteret e spikatura plot temperament në kinemanë shqiptare.
“Kujtojmë sot me respekt një nga zonjat e rralla të skenës dhe ekranit, aktoren Antoneta Papapavli!”, shprehet ajo.
Antoneta Papapavli ka interpretuar mbi 50 role në Teatër, si dhe shumë role në kinematografi.
Antoneta Papapavli lindi më 17 shkurt 1938 në qytetin e Përmetit. Studimet i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega e dramës dhe u emërua aktore në Teatrin Popullor më 1964.
Në mbi 20 vjet karrierë artistike, ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe në filmin artistik shqiptar.
Ajo mbahet mend me rolet në teatër si Olimbia tek “Karnavalet e Korçës”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë”, Deizi tek “Arturo Ui”, Bajamja te “Fytyra e dytë”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, Adela te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Gjyshja te “Hijet e natës”, Cuca tek “Cuca e maleve” etj.
Në kinematografi ka luajtur tek filmat, “Kur ndahesh nga shokët” – nëna e Zanës, Sania tek “Hije që mbeten pas”, drejtoresha tek “Shoku ynë Tili”, “Kur hapen dyert e jetës” -nëna e Lizës, “Hije që mbeten pas” – Sania, nëna e Marjetës, “Nxënësit e klasës sime”- Vangjelia, bashkëshortja e Kristoforit, “Apasionata” – Profesorja e Mirës, “Shoqja nga fshati” – Lefka, “Si gjithë të tjerët” – nëna e Jetës, “Kërcënimi” – Marina, nëna e Emës, “Përtej mureve të gurta” – nena e Asimese, “Ata ishin katër” – anëtarja e Këshillit, “Përballimi” – Klea, “Komisari i dritës” – Ngjela etj. Ngjitja e saj e fundit në skenë është në komedinë “Pallati 176”, ku interpreton rolin e nënës së Elsës, në variantin e dytë të komedisë.
Adhuruesit e kinemasë e kujtojnë atë me batutën “Thesin Aga!” në filmin “Përballimi”.
Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe dekorata të ndryshme.
Ajo u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare./ atsh/ KultPlus.com