Arjola Demiri shkrihet në rolin e Madalenës, sjell tri etapat e një gruaje

5 Shkurt, 2019 - 1:57 pm

Gili Hoxhaj

Skena e teatrit “Dodona” mbrëmë u shndërrua në një dhomë, tualet, në një hapësire party, një vend ku interpretohet me violinë, në podium prej nga i drejtohesh publikut e shumëçka tjetër që mund t’i shërbejë një gruaje përgjatë jetës së saj.  Një grua që dëshmon se është lodhur nga normat shoqërore, që krejt jetën e saj i’a kanë atribuuar virgjërisë së saj dhe statusit të saj martesor. “Zoti na e faltë!”i i thotë regjisori në paralajmërimin e shfaqjes, pasi që zbërthimi i monodramë në skenë e kishte bërë të mendoj se sa shpesh është ofenduar femra, e vendosur moralin e saj, vlerën e saj, në një cipë të hollë, në një asgjë, “dy gishta larg anusit “.

“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” me regji të Ben Apollonit e tekst të Ridvan Dibrës prekin psikologjinë e një gruaje në tri etapa të jetës së saj. Etapat e ironizojnë njëra tjetrën, por nuk e ka fort të lehtë t’i qëndrojë besnike dëshirave të saj. Veshja me të cilën prezantohet e toni që vjen e ashpërsohet flasin për sigurinë e saj që e fiton përgjatë viteve. Madalena që erdhi në rolin e Arjola Demirit fillimisht e paraqet atë në moshën 15 vjeçare, rrallë identifikohej me emrin e saj nga rrethi i saj shoqëror. “Virgjëreshë” dhe si “Delja e zezë e grupit”, ishin zërat që e përcillnin vazhdimisht, nga ato që e konsideronin të përjashtuar nga grupi, pikërisht se ende ruante virgjërinë e saj. Për të mos qenë më pre e shakave të tilla, ajo  kontaktin e parë seksual e kryen në tualetin e shkollës së mesme. Zhvirgjërimin kurrë se kishte përfytyruar si një akt kaq mekanik e të ftohtë, për të ndjerë neveri për partnerin me të cilin nuk do të kishte më asnjë kontakt të ngjashëm gjatë jetës së saj.

Për shumë kohë pas kësaj, kontakte të tilla nuk do të  kishte as me burra të tjerë që parakalonin në jetën e saj. Neveria i ishte kthyer në sinonim për gjininë e kundërt.

Poret e jetës së saj ishin të karakterizuara në një skenografi mes të bardhës dhe të zezës. Portretet e shoqeve të Madalenës rrinin të varura prapa shpinës së saj, si zëra që tentojnë të diktojnë lëvizjet e jetës së saj, që duan të masin çdo veprim të jetës së saj. Dhjetë vite pas, Madalena ngulmon në atë se publik, ku ka ardhur për të dëgjuar historinë e saj të dashurisë por ajo akoma nuk ka gjë për të rrëfyer në këtë aspekt. Madje,  goxha me krenari thotë se e ka mbajtur veten larg nga burrat që akoma e neveritin. I ishte përkushtuar tërësisht librave e violinës dhe kishte përfunduar studimet në Akademinë e Arteve. Megjithëse më e sigurte në vetvete, ajo në një moment vjen në përfundimin se ka gjetur “shpirtin binjak”, e që krejt kjo përfundon në pyetjen e tij për virgjërinë e saj. Me pyetje i përgjigjet edhe ajo se kaq e rëndësishme qenka virgjëria e saj, e pasohet nga përgjigja e tij se për të është gjithçka që ka rëndësi. Madalena ikën nga publiku me një mesazh që s’mund të ketë në botë dy shpirtra binjakë, të tillë mund të jenë veç në dukje. Për të shpirtrat mbeten unik dhe të papërsëritshëm.

15 vite pas, publiku e takon Madalenën në moshën 40 vjeçare. Akoma pa një tregim dashurie por numëron dhjetë pika të karrierës së saj plot suksese. Gati se kurrë nuk vlerësohet për këtë. Kjo moshë atë e gjen në gjendje tejet të mirë materiale, tashmë duke ligjëruar në Akademinë ku vetë ishte studente dhe udhëheqëse në evente të rëndësishme të violinës. Një ditë e bind veten se duhet ta gjej dikë, kur e takon një burrë që duket se ia përmbushë kërkesa e saj, ajo niset drejt shtëpisë së tij niset me idenë se po shkon në shtëpinë e burrit të saj të ardhshëm. Pikat e gjakut në çarçaf e ndryshojnë rrjedhën e imagjinatës së saj, e ai i befasuar e pyet se a e ka ruajtur deri tani virgjërinë. Nuk tenton t’ia dorëzojë dy tregimet e vetme në të kaluarën dhe  shpejt përfundon në pyetjen se a aq e rëndësishme qenka të mos jesh e virgjër, e përgjigja e tij ishte se kjo është e gjitha çfarë ka rëndësi. Madalena nga skena ikën pa dashuri, e publiku mbanë sytë në një perde të bardhë që nis e ndryshon ngjyrën derisa dëgjohen krismat nga atje.

Regjisori Apolloni  përmes lojës së Madalenës nuk e kursen as publikun, Madalena sy më sy lexon përgjigjet që mundohet t’i zbërthejë nga ta. Figura kryesore e shfaqjes është ironia, ndërsa regjisori përmes personazhit të monodramës, tenton ta prekë publikun aty ku publiku rrallë guxon ta prekë edhe veten.  Apolloni   ua sugjeron të gjithëve librin e Ridvan Dibrës,  ndërsa tha për KultPlus se autorin e tekstit, Ridvan Dibrën e cilëson si një mjeshtër të madh të fjalës, që nuk krijon veç fabula, por është edhe filozof, dhe këtë temë e trajton shumë thellë. Ai tregoi për KultPlus për arsyen se përse e ka intriguar pikërisht kjo temë. 

“Kësaj here më ka lënë shumë përshtypje edhe tema që ka zgjedhur që është virgjëria, e që edhe në shekullin 21, ne ende bisedojmë për këtë temë dhe shpesh është përcaktuese për fatin e femrave,  e që e konsideroj si shumë të padrejtë, jo vetëm si regjisor por edhe si Ben”. Apolloni tha se kjo prekë raportin mashkull dhe femër, ndërsa depërton edhe në shtresa të tjera që lidhen me rrethin.

“Ti mund ta arrish namin në karrierë, por njerëzit të pyesin “a je martuar dhe sa fëmijë i ke” dhe kjo është njëra nga ato temat më diskrete që prek shfaqja”, u shpreh Apolloni për KultPlus.

Për Arjola Demirin kjo është hera e parë që sfidohet me një nga zhanret më impenjative për aktorin, që është monodrama.  Ajo thotë mënyra e punës së regjisorit dhe qetësia e  Apollonit ka bërë që ajo të  mundohet të nxjerrë më të mirën nga kjo shfaqje. Për KultPlus tha se monodramën e cilëson si një shkollë në vete, ku pesha e shfaqjes është e përqendruar veç mbi supet e saj

“Monodrama ka qenë ngarkesë më e madhe, jo që unë e kam frikë publikun dhe daljen vetë në skenë, por teksti është shumë voluminoz”, tregon aktorja Demiri.

Regjisori Apolloni tha se për të ka qenë shumë e rëndësishme ta gjejë një aktore që mund ta mbajë mbi supe një rol të tillë, por bashkëpunimet e mëhershme me Arjola Demirin e kishin bindur se ajo mund ta përfaqësojë denjësisht këtë rol.

“Nuk është se dua t’i nënçmojë aktorët e tjerë, por mendoj se këtë vepër më së miri ka mundur ta sjellë në skenë Arjola”, tha në fund Apolloni.

Muzika mbrëmë erdhi nga Memli Kelmendi, kostumografia nga Valdete Mustafa, skenografia nga Ben Apolloni, dizajner i dritave nga Skender Latifi, kurse grimere Nora Rrahmani dhe fotografia nga  Arbër Elezi.

Repriza e kësaj shfaqje vjen sonte më 5 shkurt në Teatrin “Dodona”, duke filluar nga ora 19:30./ KultPlus.com

Të ngjajshme