Arrëthyesi, baleti i Çajkovskit vjen në TKOB, në vigjilje të Krishtlindjes

12 Dhjetor, 2023 - 9:06 am

Në prag të Krishtlindjes, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit sjell për artdashësit një vepër tipike për ditët e fundit të vitit. Atmosfera e përrallës, ëndrrës dhe ngrohtësisë që sjellin festat, vjen përmes baletit “Arrëthyesi”, të Çajkovskit.

Pas 4 netësh të suksesshme (8, 9, 10, 11 dhjetor) të operës “Carmen”, skena e TKOB do t’i kushtohet baletit “Arrëthyesi”, i cili është vënë dhe më parë në skenë, por këtë muaj sipas teatrit vjen si produksion i ri. Datat në dispozicion të këtij baleti janë 22, 23 dhe 24 dhjetor.

Baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann, libreti sipas Marius Petipa. Në fillim një balet i porositur nga drejtori i teatrit të Moskës, “Arrëthyesi” menjëherë u bë një nga veprat më popullore që vihet në skena të teatrove të ndryshëm në botë.

Historia te “Arrëthyesi”, flet për një zonjushë me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe Arrëthyesi i saj i dashur shkon në luftë së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig. Më vonë ai transformohet në një princ të bukur dhe ata shkojnë së bashku në mbretërinë e zanave floksheqer (Confiturembourg) për të mbretëruar përgjithnjë.

Ky balet është interpretuar dhe transformuar në dhjetra e dhjetra produksione kinematografike, teatrale e televizive. Mes aktorëve më të famshëm që kanë interpretuar “Arrëthyesin” kanë qenë edhe Keira Knightley, Morgan Freeman e Helen Mirren./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme