16 Nëntor, 2017 - 9:30 am
Vepra “Mashtrimi” rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar Artan Imamin. Shkruar nga Anthony Shaffer vepra vjen në skenë me regji nga Artan Imami, një shfaqje që ka bërë bashkë aktorë shqiptarë dhe të huaj. Shfaqja ngjitet premierë të premten në skenën e teatrit për të vijuar dhe të shtunën e të dielën, dhe rolet në vepër interpretohen nga Artan Imami, Indrit Çobani, Carolyn Murphy e Endrin Pastore. Një shfaqje me katër personazhe, një vepër që dhe në mediet botërore më herët ka gjetur vlerësime.
“Një kryevepër argëtuese, ku konflikti seksual ndërthuret me atë klasor dhe racor. Drama dhe tragjedia transmetohen nga një humor i zi”, kështu shkruan për “Mashtrimi” një nga gazetat më prestigjioze “New York Times”. “Mashtrimi” (“Sleuth”), një nga veprat më të njohura të dramaturgut Anthony Shaffer është ngjitur në skenën e Broadway, fitues i “Tony Award”, adaptuar tre herë si film dhe kandidat për çmimin “Oscar”. Një vepër e ndërtuar mbi një zinxhir intrigash, ku imagjinata dhe realiteti shkrihen në një. Në vepër tradhti, pasion, gënjeshtra, pushtet, bindje, lojë dhe kjo përcillet përmes aktorëve të njohur të teatrit. Regjisor në shfaqje, Artan Imami vjen në rolin kryesor atë të Wyke, në atë të Milo Tindle të dashurit të gruas interpreton aktori Indrit Çobani dhe në rolet e tjera janë Carolyn Murphy dhe Endrin Pastore. Këtë vepër ai e përshtati për versionin filmik me aktorët Laurence Oliver dhe Michael Cane në vitin 1972, i nominuar për çmimin “Oscar”. Në vitin 2007, “Sleuth” u përshtat për një tjetër version filmik me regjisor Kenneth Branagh dhe me aktorë Michael Cane dhe Jude Law.
Poashtu, vepra është shfrytëzuar si bazë për filmin “Tamanna” (2014), një prodhim britaniko-pakistanez, me regji të Steven Moore. Firmën e tij mban edhe skenari i trillerit të Alfred Hitchcock “Frenzy” (1972) si dhe “The Wicker Man”. Artan Imami është një nga emrat e dashur për publikun në skenën e teatrit. Në aktivitetin e tij me teatrin gjithmonë është vlerësuar dhe tashmë ai vjen para publikut si regjisor dhe aktor. Këto ditë aktori i njohur me shfaqjen “Lukrecia Borxhia” ishte në Francë, ku trupa e Teatrit Kombëtar u prezantua me këtë vepër teatrore.
Ngjarjet në “Mashtrimi”
“Mashtrimi” në skenë është me skenografi nga Genc Shkodrani. I zhvillon ngjarjet në shtëpinë e dinastisë Wiltshire të shkrimtarit të suksesshëm Andrew Wyke. Shtëpia e tij duket si një reflektim i veprave që shkruan. Në dijeni të tradhtisë të së shoqes, fton në shtëpi të dashurin e saj, Milo Tindle, dhe e bind që të grabisë bizhuteritë e gruas. Që prej këtij propozimi, zë fill një zinxhir ngjarjesh që e mban lidhur publikun edhe në dilemën nëse ajo që po shohin është e vërtetë apo fryt i fantazisë së Wyke dhe fillon realiteti.
Më herët për këtë vepër autorit Anthony Shaffer është shprehur se ajo ishte pjesërisht e frymëzuar nga një prej miqve të tij, kompozitori Stephen Sondheim, i cili mishërohet në rolin e Wyke. “Sleuth” konsiderohet si një triller i klasit të parë, mbushur me intriga, kthesa të befta dhe një suspansë të vazhdueshme.
Gjithashtu, është një lloj parodizimi i literaturës policeske dhe investigative, por nga ana tjetër përdor të gjithë elementet e zhanrit në fjalë për të arritur qëllimin e tij artistik. Praktikisht, vepra është një studim dramatik i betejës për seksualitet dhe xhelozi, midis një të riu dhe një burri në moshë. Anthony Shaffer ka lindur në Liverpul, më 15 maj 1926, dhe i përket një familjeje dramaturgësh të suksesshëm. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com