9 Prill, 2019 - 12:20 pm
Aktori Xhevdet Doda është në mesin e 10-të aktorëve të cilët nuk janë paguar nga Teatri i qytetit të Prizrenit duke përfshirë këtu edhe 6 punëtor të teatrit, shkruan KultPlus.
Për mos pagesë dje ka reaguar aktori i cili Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit e ka quajtur Departamenti i Vrasjes së Teatrit.
“Republika e Kosovës
Komuna e Prizrenit
Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit
Departamenti I Vrasjes së Teatrit
Dita e 99 – të pa rroga
Falemnderit shumë!
#teatri”,
ka shkruar dje aktori.
Ndërsa sot, Doda publikon një tjetër status në Facebook të cilin e fillon duke e cituar edhe një thënie të shkrimtarit Teki Dervishit: “Arti është protestë e kujtimit”. Ai thotë që nga sot nuk do t’i numëroj ditët pa rroga sepse nuk i pëlqen rroli i viktimës. Ai shprehet se artistët nuk janë barrë por vlerë e kësaj shoqërie.
“Nga sot nuk do ti numëroj ditët pa rroga sepse nuk më pëlqen roli i viktimës… Arsyeja e hapjes së këtij debati është gjendja e rëndë e aktorëve të teatrove të qyteteve që janë në “mëshirën” e pushteteve lkomunale, procedurave dhe zgjedhjeve kreative burokratike thua që artistët janë BARRË e jo VLERË e shoqërisë ku po jetojmë.
Nuk po me interesojnë kombinatorikat politike sepse puna ime është Arti as nuk kërkoj Fajtorë por Zgjidhje të këtij problemi që një komunitet i vogel i kësaj shoqërie të mund të jetojë dinjitetshëm.
Ju falënderoj për përkrahjen dhe solidarizimin!”, ka shkruar aktori Xhevdet Doda. / KultPlus.com