Artistët nisin fushatën ‘Teatrot të hapen tani’, Mehmeti: Jemi mësu në parlament me pasë teatër, ata vetë i sjellin këto vendime e nuk i zbatojnë

23 Shtator, 2020 - 6:39 pm

Xhemile Hysenaj dhe Suada Qorraj

Pesëmbëdhjetë marsi i këtij viti shënoi mbylljen e gjithçkaje, e gjithë bota tashmë po qëndronte brenda një guaske. Por, qëndrimi brenda kësaj guaske nuk zgjati shumë, ngase botës i duhej normalizimi. E kështu filloi hapja e ngadalshme e pothuajse secilës derë që dha punë, argëtim e dituri, por e mbetur nën hije, me derën e mbyllur tash e shtatë muaj, janë aktivitetet kulturore. Në muret e sallat e teatrove e të kinemave mungon publiku, duartrokitjet e ngazëllimi i përhershëm që zakonisht përçohej në hapësira e këtyre ambienteve kulturore shkruan KultPlus.

Institucionet kulturore premtuan se teatrot do të hapen në fillim të qershorit, mirëpo, siç tashmë nuk konsiderohet çudi shkelja e premtimeve nga institucionet tona edhe ky premtim dështoi të mbahej. Kjo gjë bëri që para disa ditëve, komuniteti i artistëve të nisë një peticion për hapjen e teatrove, por që nuk duket të ketë pasur efektin e merituar tek krerët e institucioneve përkatëse, kështu, artistët filluan me hapin tjetër, që ishte një protestë virtuale e që me shumë gjase nuk do të mbarojë me kaq.

Poashtu, me 29 korrik të këtij viti është marrur vendimi për ndalimin e të gjitha aktiviteve kulturore, vendim ky që tash e sa kohë nuk është duke u përfillur. Deri tash janë mbajtur promovime, ditë të trashëgimisë, ekspozita e shumë të tjera aktivitete që prezent kanë pasur shumë njerëz, duke rënë në kundërshtim me masat AntiCovid.

Bëhet fjalë për fushatën ‘Teatrot të hapen tani’, nismëtar i së cilës ishte regjisori dhe Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. KultPlus kontaktoi me Zymberin i cili u shpreh i mllefosur dhe i shqetësuar në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar si të pakuptimtë dhe dëshpërues faktin që akoma qëndrojnë të mbyllur. Sipas tij, teatrot do të mund të kontrollonin shumë lehtë numrin e spektatorëve përmes shitjes së biletave dhe distancës në mes të ulësëve. ‘Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor. Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor’, potencon Zymberi për KultPlus.

Ndër të tjera, Zymberi shprehet se komuniteti artistik është i gatshëm të bashkëpunoj edhe me organet gjegjëse për të krijuar një manual apo udhëzim se si do të mund të funksionojnë teatrot tona në rast të hapjes së tyre, duke pasur parasysh situatëën pandemike.

Aktorë të shumtë iu bashkuan kësaj iniciative, ndërkaq KultPlus kontaktoi disa prej tyre. Të gjithë artistët shprehën mllef e revoltë në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar të pakuptimtë një gjë të tillë, pasiqë edhe brenda këtyre hapësriave ekziston mundësia e zhvillimeve kulturore duke respektuar masat AntiCovid. Ata poashtu u shprehën shumë të gatshëm për një portestë të mundshme në rast se edhe kjo fushatë has në vesh të shurdhër.

Astrit Kabashi konsideron se qeveria duhet të shqyrtojë edhe njëherë ato vendime. ‘Pa kulturë ky vend vdes’, deklaron ai.
‘Ne besojmë që institucionet kulturore do të hapen, sepse përveç për komunitetin artistik që është e nevojshme dhe për qytetarët, më së shumti do t’i bënte mirë qeverisë në Kosovës. Pak kulturë nuk do t’u bënte keq këtyre të fundit. Ne nuk po kërkojmë të rrezikojmë shëndetin e askujt, ne po mendojmë vetëm për shëndetin mendor dhe shpirtëror të qytetarëve të Kosovës’, deklaroi tutje Kabashi për KultPlus.

Dramaturgu Jeton Neziraj, është shprehur fushata ‘Teatrot të hapen tani’ do të përfshijë një seri aksionesh dhe nuk to të kufizohet vetëm në rrjete sociale, pra, sipas tij, nuk përjashtohen as format tjera të protestës
‘Do t’i bashkohem gjithësecilës iniciative, kërkese për hapjen e teatrove, natyrisht, argumentet pro hapjes së teatrove janë bindëse dhe ato më nuk mund të kontestohen, sidomos për faktin që janë lejuar të funksionojnë qendrat tregtare, gym-et, kafeteritë e kështu me radhë. Madje, vet qeveritarët këtyre ditëve i kemi parë tek kanë organizuar apo kanë marrë pjesë në evente të ndryshme publike. Një i tillë u organizua ditë më parë nga komuna e Prishtinës’, ka deklaruar tutje Neziraj për KultPlus.

Ndërkaq, në anën tjetër, Sindikata e Teatrove të Kosovës tash e sa kohë është në përpjekje për të bindur qeverinë që të lejojë hapjen e teatrove, mirëpo deri tash nuk është hasur në ndonjë përgjigje pozitive

Kushtrim Qerimi tregoi për KultPlus se e konsideron teatrin tejet të rëndësishëm, sipas tij teatri kontrollohet vetëm në vende totalitare për shkak të ndikimit të tij të madh tek masa njerëzore. ‘Për më thjeshtë do të citoja Nolin, ”Një vepër e luajtur mjeshtërisht nga aktorët në teatër, vlen më tepër se njëqind herë leximi i saj’. Andaj, roli edukativ i teatrit në shoqëri është shumë herë vendimtar. Komuniteti teatror është diskriminuar nga masat edhe ashtu naive AntiCovid, andaj që të mos vie deri te shpërfillja e këtyre masave edhe ashtu të parespektuar në radhë të parë nga vetë ata që i kanë vendosur, uroj që teatri sa më parë të filloj punë. ‘, shprehet Qerimi.

Sherif Bega, ishte ndër aktorët e shumtë që iu bashkuan kësaj nisme. Ai potencoi për KultPlus se është i gatshëm për një protestë në të ardhmen e afët, nëse nuk ndërmerret asgjë mbi hapjen e teatrove. ‘Teatri është shumë i rëndësishëm në shoqëri, e sidomos në këtë periudhë pandemike ku për pothaujse 8 muaj teatri e kinemaja kanë qenë të mbyllura, qytetarët janë të lodhur, prandaj hapja e teatrove është e domosdoshme”, potencon tutje Bega për KultPlus.

Ndërkaq, Florent Mehmeti për KultPlus shprehi dëshpërimin e madh në lidhje me këtë çështje dhe me vendimet e paarsyeshme të qeverisë, pasiqë sipas tij, këta të fundit vetë i kanë sjellë këto vendime dhe janë pikërisht ata që nuk po i zbatojnë ato.

‘E konsideroj teatrin si pjesë të pandashme të jetës Teatri flet shumë edhe për nivelin e emancipimit të një shoqërie, është një fjali e njohur që thotë se nëse don me njoftë nivelin kulturor të një vendi duhet me e pa se si i kanë të rregulluar teatrin dhe varrezat. Teatri është pjesë e pandashme e botës qysh prej kohës së antikiteti’, u shpreh ai.

Mehmeti, ndër të tjera potencoi se jemi shumë vonë në kushtim të rëndësisë së teatrit, ai konsideron se autoritetet përkatëse përtojnë të merren më çështjen e teatrit.

‘Jemi mësu në parlament me pasë teatër, kushdo që paguhet prej taksave të qytetarëve është duke bërë teatër, është për të ardhur keq që qeveria e lejon këtë gjë. Instancat qeveritare, qoftë ato lokale qofë të nivelit qëndror po organizojnë aktivitete kulturore në baza ditore, me shumë njerëz e me salla të mbyllura, e çka është tjetër kjo pos teatrit?!’, deklaron për KultPlus Mehmeti.

Teatri është ndër hapësirat më të rëndësishme kulturore të një vendi. Fakti që këto hapësira akoam qëndrojnë të mbyllura, flet shumë për krerët e institucioneve përkatëse. ‘Teatrot të hapen tani’ nuk mbaron me kaq. Kjo fushatë nuk ka për t’u ndalur derisa të merret një vendim i përshtatshëm mbi hapjen e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme