Artpolis themelon Fondin për Art Feminist, në shkurt prezantohen katër vepra

11 Shkurt, 2022 - 3:26 pm

Veprat artistike me qasje feministe tani e kanë një adresë përmes së cilës mund të vijnë në jetë – Fondin për Art Feminist të organizatës Artpolis, që ka nisur nga janari i vitit 2022.

E në kuadër të këtij Fondi gjatë muajit shkurt do të jepen premierë katër vepra artistike të artisteve dhe artistëve me tema e mënyra të ndryshme të prezantimit, por me një pikësynim të përbashkët – fuqizim të vajzave, grave e grupeve të margjinalizuara dhe shpërfaqjes së pabarazisë ndaj tyre.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin rreth këtij fondi.

Me dashuri e për dashurinë nis prezantimi i veprave në kuadër të Fondit për Art Feminist. Më 14 shkurt nga ora 18:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë performanca “Vet’♥️” nga Andi Krasniqi e Arbnora Ademi.

“Vet’♥️” ka për qëllim të ngritë vetëdijen te shumica mbi të vërtetat e tranzicionit dhe është e bazuar në rrëfimet e personave që janë në mesin tonë. E ndarë në katër faza në të paraqiten dëshira, ankthi, realiteti personal i personazhit , ai i rrethit dhe të dashurit e vetvetes. Sfida, sakrifica dhe gjykimet që bëhen ndaj dikujt që askush pos tij/saj nuk e di si ndjehet në atë trup.

Katër ditë më vonë, 18.02.2022, para publikut në Teatrit Oda nga ora 18:00 do të prezantohet koreodrama e Leudrita Mustafës me titull “Grua mos hesht”. Kjo vepër vjen si narracion kundër dhunës ndaj grave, dhe sfidat me të cilat ato ballafaqohen në përditshmëri. Ngjarja realizohet përmes vëllëzimit bashkëkohorë në të cilën portretizohet një çift në faza të ndryshme të lidhjes së tyre, deri tek çlirimi përfundimtar i gruas nga një marrëdhënie toksike.

“Grua mos hesht” vjen si thirrje për të gjitha gratë që të mos tolerojnë padrejtësitë ndaj tyre e të kërkojnë ndihmë për t’u çliruar nga prangat e patriarkatit.

Kurse më 22 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë baleti “Equal” me koreografi të Robert Nuhës me fillim nga ora 20:00.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, konkretisht në improvizim të kontaktit, të cilat nxjerrin në pah shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik. Përmes imazheve që do të ofrojmë përgjatë kësaj performance do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore.

E më 24 shkurt në Sallën Koncertale të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës do të prezantohet vepra “Sonatë e Kristaltë” nga Entela Qarkagjija.

“Sonatë e Kristaltë” është një performancë në siluetë, duke luajtur në violë e piano që sjell narracionin mbi sfidat dhe paragjykimet me të cilat përballen instrumentistët, veçanërisht gratë.

Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi për Artin Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Të ngjajshme