26 Dhjetor, 2018 - 9:00 pm
Ministria e Kulturës shkruan në një njoftim për shtyp se ‘ArTurbina’ mund të konsiderohet pa frikë një histori suksesi. Janë disa tregues që e dëshmojnë këtë gjë.
Sipas institucionit në fjalë, më domethënësi mbetet numri i lartë i spektatorëve; mesatarisht janë 19 mijë vetë nga shtatori deri në dhjetor, që kanë ndjekur shfaqje të ndryshme në skenat e ‘ArTurbinës’.
“Numri i shfaqjeve është 90, nga të cilat 58 janë shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar dhe skena e pavarur; 11 janë opera dhe balet, ndërsa 21 janë evente të ndryshme kulturore. Mesatarisht rreth 1 shfaqje në ditë. Nga 37 subjekte në total që kanë dhënë shfaqje në këto muaj, më shumë se gjysma janë nga institucionet kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Pjesa tjetër janë nga skena e pavarur dhe subjektet private” – thuhet në njoftim.
‘ArTurbina’ u ngrit pas rikonstruksionit të ish Laboratorit të Hidroteknikës, një investim rreth 3.3 milionë euro i qeverisë shqiptare.
Synimi ishte shndërrimi i kësaj ndërtese të braktisur në një pol kultuor, në një Qendër Arti bashkëkohore e me standarde europiane. ‘ArTurbina’ është konceptuar gjithashtu edhe si një qendër multifunksionale që do të stimulojë kreativitetin, do të krijojë një hapsirë e re qytetare, si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me spektatorin duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe ambienteve të reja artistike.
“Shumë prej artistëve që në fillim hezituan për ta mirëpritur si skenë të re teatrale, sot performojnë aty dhe e vlerësojnë këtë projekt. ‘ArTurbina’ ka dy salla; një me audiencë 400 vende dhe një tjetër me 150 vende. Po kështu ka nje holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 300 m2; një holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 60 m2; hapësirat për ekspozim të arteve vizuale; hapësirat për administratën dhe ambiente të tjera ndihmëse” – thotë Ministria e Kulturës./javanews.al/ KultPlus.com