12 Dhjetor, 2018 - 3:27 pm
Artistikisht, kauzat e tilla që tejkalojnë caqet e ngushta të këndvështrimeve dramaturgjike, në shumë raste nuk kanë arritur të japin frytin e pritur, por në rastin e kësaj shfaqjeje, regjisori Kastriot Abdyli bashkë me ekipin e aktorëve, me vetëdije iu ka qasur pikërisht kësaj forme të konfigurimit skenik të realitetit, duke marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë për efektet që mund të prodhojë ndonjë vëmendje e papërqendruar teatrore.
Emin Azemi
Në Teatrin e Kumanovës, ansambli i aktorëve shqiptarë solli shfaqjen skenike “As andej, as këndej”. Regjisori Kastriot Abdyli ishte bazuar në një tekst të mëhershëm të autorëve BojanTrifunovski, Simeon Damevski dhe LupçoTodorovski – Upa, por gjatë adaptimit ky tekst ka pësuar transformime të konsiderueshme përmbajtësore e kuptimore, dhe si version final mund të thuhet se ka dalur një strukturë gati e re dramaturgjike.
Shfaqja “As andej, as këndej’’ është një radiografi social-psikologjike e ditëve tona, kurse plasticiteti i gjetjeve mizanskenike nga ana e regjisorit Kastriot Abdyli bashkë me aktorët kryesorë që luajtën, e bëjnë më të besueshme gjuhën teatrore mbi të cilën u ndërtuar kjo pjesë.
Nga mënyra e reagimit të publikut, por edhe nga atmosfera që imponoi loja e aktorëve, mund të thuhet se subjekti dramatik, që ndërthuret me vetë arkitekturën skenike, e vendosin shikuesin në disa kontekste sociale, me drama personale e katarsise të fuqishme njerëzore. Pikëtakimi i dy botave, që dikur kishin qenë bashkë, në një aeroport ndërkombëtar dhe zbërthimi i biografive personale, përmes rrëfimit në retrospektivë të ngjarjeve e përjetimeve nga e kaluara, determinon rrjedhën logjike të fabulës e cila bëhet gjithnjë e më e ngjeshur, teksa në sipërfaqe dalin deformimet shoqërore dhe traumat individuale të atyre që mbetën jashtë margjinave të kohëve që sollën ndryshime. Por jo të gjithë mblodhën frutet e këtyre ndryshimeve, sepse ai që kishte qenë luftëtar, në fund sërish kishte mbetë taksist, kurse një dallaveregji që kishte shijuar favoret e të gjithë pushteteve, ishte bërë përcaktuesi i fateve të ish luftëtarëve.
Mesazhi i kësaj shfaqjeje do të mund të lexohej në mënyra të shumta, por paradoksaliteti që qëndron në thelb të kontekstit social të shoqërisë nuk do të bëhej i plotë përmes rasteve konkrete që nxjerr në sipërfaqe kjo fabulë dramaturgjike, nëse nuk kalon nëpër indin shpirtëror të individit, duke e “çarmatosur” këtë të fundit nga të gjitha mundësitë për të qenë një bashkëshort dinjitoz përballë një gruaje që po e këmbente moralin e saj me ato pak sheqerka që ofronte makniera poshtëruese e të ashtuquajturve miqë matrapazë.
Boshtin e lojës skenike e përbëjnë Ismail Kasumi dhe Musa Isufi. Në shfaqje u angazhuan edhe aktorët: Taulant Destani dhe Faton Ibrahimi, instrumentalistët: Baba Bend dhe Funda Ali, kurse skenografia: Ardian Kadriu. Bekimi, një 34-vjeçar, i cili erdhi i transponuar me një potencë mjaft të arrirë aktoriale nga Ismail Kasumi, do ta ketë vështirë të adaptohet në ambientin e dikurshëm prej nga kishte ikur në mërgim, në Amerikë, dhe kthimi pas 18 vjetëve, do të shoqërohet me thyerje shpirtërore e keqkuptime. Portreti i këtij mërgimtari të zhgënjyer i ka shërbyer vetë qëllimit që ka pasur kjo dramë, që përmes fateve individuale të mërgimtarëve të tillë të prishë skemën idilike për kurbetin që e proklamojnë individët e painformuar me rrjedhat jo gjithmonë normale të jetës në dhe të huaj. Kjo bëhet edhe më kuptimplote pikërisht në kohën kur po mbisundon lakmia kolektive e të rinjëve për të braktisur vendlindjet e tyre, në këmbim të një mirëqenieje më dinjitoze dikund larg ku nuk do të kishte pushtet mosvëmendja e politikës dhe nonshalca e institucioneve të këtushme. Përmes Bekimit sikur na ofrohet një dritë tjetër për të diferencuar, megjithatë, idilën e proklamuar gabimisht për kurbetin dhe shanset e pashterrura dhe të paafirmuara mjaftueshëm në vendlindje. Përballë tij, ndodhet Iliri, një idealist i zhgënjyer, i cili ia ka mësy mërgimit, për të ikur jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja. Karakteri i Ilirit që mbërthehej brenda lëkurës së regjur nga padrejtësia, dallaverat, konkurrenca jolojale, tradhëtia e gruas dhe loja pas shpine e të ashtuquajturve miqë, do të vjen i transponuar kënaqshëm nga aktori Musa Jusufi, loja e të cilit kishte jo vetëm dinamikën e brendshme, por edhe tejdukshmërinë e emocioneve që arriti t’i ndajë me publikun kureshtar.
Barra për të realizuar këtë shfaqje, do të konsiderohej mision i pamundur sikur tensionin dramatik të mos e mbanin në kuota të larta emocionaliteti pikërisht aktorët Ismail Kasumi e Musa Jusufi. Janë të rralla rastet kur një skenë me pak aktorë funksionon kaq natyrshëm, ngjashëm sikur të ishte e “populluar” me shumë personazhe e karaktere. Ndërkaq ato pak personazhe episodike, por mjaft kuptimplotë, siç ishin Kamarieri (paraqitet edhe si shankist dhe spiker), Stjuardesa (paraqitet si punonjëse e aeroportit, si stjuardesë, por edhe si e dashur e Bekimit dhe grua e Ilirit) dhe tre muzikantët që ekzekutonin në saksofon, harmonikë, kitarë dhe tarabuk, ndihmuan në plotësimin e mozaikut të një ambient që përkohësinë e ngjarjeve (siç mund të jetë pauza e pritjeve në një aeroport ndërkombëtar) e bën atraktive për ata që mund të jenë afër, por edhe për publikun.
Shfaqjen “As andej, as këndej”, publiku ka mundur ta kuptojë edhe si akuzë ndaj bartësve të revolucioneve të pambaruara, kurse gjuha lokale që u përdor në skenë, por edhe tematika e ambientuar me drama individuale nga kjo zonë, e nxori Kumanovën të jetë një milie me rëndësi të posaçme dhe konstante për gjithë eksperimentuesit e vjetër dhe të rinjë. Artistikisht, kauzat e tillë që tejkalojnë caqet e ngushta të këndvështrimeve dramaturgjike, në shumë raste nuk kanë arritur të japin frytin e pritur, por në rastin e kësaj shfaqjeje, regjisori Kastriot Abdyli bashkë me ekipin e aktorëve, me vetëdije iu ka qasur pikërisht kësaj forme të konfigurimit skenik të realitetit, duke marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë për efektet që mund të prodhojë ndonjë vëmendje e papërqendruar teatrore. /KultPlus.com