‘At Sergi’ nga Fatos Berisha, me 28 nëntor vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës

10 Nëntor, 2018 - 10:55 am

Shfaqja teatrore “At Sergi”, mbështetur në novelën me të njëjtin titull të Tolstoit vjen për publikun kosovar. Historia e ushtarakut të karrierës Stefan Kazatski, i cili pasi përballet me tradhtinë e gruas së jetës dhe mikut të shtrenjtë, vendos të heqë dorë nga bota dhe bukuritë e saj, duke u bërë murg. Lufta e vazhdueshme me veten dhe betimin ndaj Zotit, dyshimi dhe epshi ndryshojnë edhe një herë rrjedhën e Kazatskit të shndërruar tashmë në At Sergi.

Producente e shfaqjes është Kozeta Kurti, regjia nga Fatos Berisha. Vepra vjen në skenë me 28 nëntor, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. E përshtati për skenë Shpëtim Selmani, interpretojnë aktorët Igli Zarka, Rovena Lule, Lulzim Zeqja, Egla Ceno, Besmir Bitraku, Julinda Emiri, Valmir Krasniqi, Arta Lahu, instrumentist Denis Hima.

“At Sergi” është një novelë e realizuar në vitin 1890 dhe e publikuar në 1898. Në 1917, regjisori rus Jakov Protazanov realizoi një film pa zë mbi këtë novelë. Novela flet për princin Stefan Kasatzki. Ai ishte një ushtarak me karrierë të suksesshme, që zbulon tradhtinë e të fejuarës së vet pak para se të martohet. I shqetësuar dhe në mëdyshje, ai tërhiqet në ushtrinë e ortodoksisë ruse duke u bërë një murg. Shumë vite poshtërimi dhe dyshimi pasuan dhe ai tashmë qe një heremit që bën mrekulli para fshatarëve. Çaste provokimesh vënë në provë besimin e tij dhe situata të pafat të provokimit femëror e çojnë në dështim. Më herët regjisori Fatos Berisha ka treguar se për veprën është punuar shumë.

“Që në fillim e kam ditur, që është i vështirë një klasik i tillë si Tolstoy për ta vënë në skenë. Me sa di unë kjo novelë nuk është vënë në skenat e Ballkanit si shfaqje teatrore. Kështu filloi rrugëtimi me shfaqjen. Unë propozova, që kjo vepër të dramatizohet për në skenë nga një autor nga Kosova, Shpëtim Selmani, me të cilin kam bashkëpunuar dhe për të tjera projekte. E dija që ai mund ta bënte këtë, sepse besoja në estetikën e tij dhe aftësitë e tij. Është punuar shumë për të ardhur te një tekst, që për mua ishte mjaftueshëm i mirë për të filluar punën më pas me aktorët e veprës”, pohon regjisori Fatos Berisha. / KultPlus.com

Të ngjajshme