‘Babai dhe babai’, premierë më 16 maj në Prishtinë

11 Maj, 2022 - 10:30 pm

Shfaqja ‘Babai dhe babai’ me skenar nga Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit do të shfaqë premierën të hënën më 16 maj në Muzeun Etnologjik në Prishtinë, përcjell KultPlus.

‘Babai dhe babai’ sjell bashkë në skenë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

‘BABAI DHE BABAI’

Dini jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Dini ka disa probleme shëndetësore, është i papunë, megjithatë, pas disa vitesh do të pensionohet dhe pret që pastaj gjërat do të jenë më të kollajshme. Gruaja, e tij, Sara, punon në një fabrikë të vogël për çepjen e uniformave të punës dhe me atë rrogë ajo mbanë familjen dhe mbështetë studimet e Lolës. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen.

Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme. Shpesh sherri plasë për gjëra krejt të kota. Thellë-thellë, duket se dicka është thyer, dhe sic duket, askush nuk është i gatshëm të kthehet mbrapa.  

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndërrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje./ KultPlus.com

Të ngjajshme