Balerinët e cilësojnë Ahmet Brahimajn si “Babai i Baletit”, përmes fjalëve shprehin dhimbjen e tyre

7 Maj, 2020 - 12:55 pm

Jeta Zymberi

Viti 1972 ishte një fillim i ri për balerinin Ahmet Brahimaj, i cili në atë kohë u punësua si i tillë ndoshta pa e ditur që jetën do të ja kushtoj përgjithmonë këtij profesioni. Që nga ajo kohë, Brahimaj nuk reshti asnjëherë duke dhënë kontributin e tij, fillimisht si balerinë e më vonë si drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, detyrë kjo që zgjati deri në pensionimin e tij, shkruan KultPlus.

Por, mëngjesi i sotëm solli një lajm të trishtë për të gjithë ata që e njohën këtë figurë emblematike të baletit.

Vdekja kishte trokitur duke na marrë përgjithmonë Ahmetin, por jo edhe dashurinë, veprën e energjinë e mirë që mbolli tek të gjithë ata që ndanë çaste me të.

Një njeri me natyrë të çiltër, energji pozitive, e një humor që të gjithë e deshën. Ai diti të falë dashuri e kujdes për të tjetër, e të tjerët ditën t’i shfaqin po të njëjtën dashuri e duke i kujtuar sa i rëndësishëm ishte për ta.

Baleti në Kosovë është identifikuar me figurën e Ahmetit e gjithmonë do të kujtohet njëjtë, sepse angazhimi i tij i pa rezervë, ka bërë që ai të çmohet nga të gjithë e të lë gjurmë në këtë institucion.

Dhimbja sot është e madhe, por shpesh fjalët zbusin dhimbjen. Andaj, për KultPlus, balerinët e Trupës së Baletit të Kosovës kanë ndarë disa fjalë në nderim të profesorit të tyre të çmuar, Ahmet Brahimaj.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, në një prononcim për KultPlus ka shpreh pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të profesorit të cilin e konsideron si baba të familjes së baletit.

“Është një humbje e madhe për në si familje që jemi rritur bashkë nën udhëheqjen e profesorit Ahmet i cili nuk e ka kursyer asnjë sekondë të jetës së tij për këtë institucion. Ai ka qenë Babai i familjes tonë të Baletit dhe ne do të jemi mirënjohës përjetësisht për krejt çka ka bërë për neve”, shprehet Musolli.

Ndërsa, balerini Sinan Kajtazaj, njëherit edhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Brahimajt, cilëson se pas kësaj humbje balerinët nuk do të jenë më njëjtë.

“Profesori Ahmet, i ka lënë Kosovës një trupë baleti, e cila sot përfaqësohet denjësisht nëpër Kosovë e Evropë. I ka lënë poashtu një trashëgimi miqsh e artistësh te baletit dhe jo vetëm, nga e gjithë bota. Neve si balerinë, na la trashëgimi, respektin, korrektësinë dhe këmbëngulshmërinë dhe dashurinë e pakompormis ndaj profesionit tonë dhe për këtë i jemi falënderues përjetësisht”, thotë Kajtazi për KultPlus.

Balerina Vjollca Llugiqi, lamtumirën e saj për profesorin e shpreh me fjalë të ndjeshme e pikëllim të thellë.

“LAMTUMIRË PROFESOR!
Prezencën tënde profesor nuk e zëvendëson asnjë dhe asgjë. Për ne gjurma jote është e madhe aq e madhe sa edhe mungesa jote që do ta ndjejmë në çdo hap e veprim të këtij institucioni që me aq pasion e përkushtim e ngrite në këmbë që të ec, të ec përkundër çdo sfide e stuhie që na dilte para …
I përulemi punës, dashurisë që na fale, përkushtimit, luftës për të rimëkëmbur një art si baleti, veprës sate që e madhëroj imazhin e këtij institucioni. Prezencën tënde i dashur profesor, nuk e zëvendëson asnjë dhe asgjë … Do të ndihet gjatë mungesa e humorit tënd spontan, batutat e tua simpatike që zënin vend aq lezetshëm në çdo situatë, kujdesi që tregoje për ne dhe gjendjen tonë atëherë kur ngarkesa skenike ishte aq e madhe, dashuria që na fale, korrektësia ndaj nesh, emrat tonë vargiseshin pas Erës dhe Shpatit, ishim fëmijët e tu që nga dita e parë kur u takuam. Nuk përshkruhet me fjalë dashuria për këtë art që është mbjellë aq thellë tek secili prej nesh.
Përulësisht mirënjohëse gjithë jetën i dashur profesor .
“Të shenjta janë vendet ku jetoi njeriu i madh!
Pas qindra vjetësh, këtu për pasardhësit jetë e re do të nisin vepra dhe fjala e tij “ – J. Ë. von Goethe
E jotja
Vjollca”.

Teuta Krasniqi e konsideron Ahmetin si prind të dytë.

“Me zemër t’thyme e mora lajmin që ma nuk t’kemi fizikisht në mesin tonë prof. Ke me qenë gjithmonë në zemrat tona e këshillat e fjalët e tua si një prind i dytë për neve, kanë me na përcjellë tan jetën. Nuk mjafton asnjë falënderim për meritat e tua e për krejt ato që ke bë për ne. Je kanë ma shumë se profesor e drejtor për neve, t’kemi pas shok e prind t’dytë!! Të dojmë shumë prof.
Ngushëllime nga zemra familjes së tij dhe kolegëve të BKK”, thotë Krasniqi.

Krejt për fund, balerina Behie Murtezi u shpreh se rrugën që e shtroi ai, balerinët do ta përcjellin me krenari.

Lajmi për humbjen e profesorit dhe drejtorit tonë më pikëllojë pa masë. Kontributi i profesorit tash më të ndjerë Ahmet Brahimaj, qysh në fillimin e rithemelimit të Baletit Kombëtar ka qenë shumë i madh. Puna dhe vepra e tij profesionale la pas një trup të tërë balerinësh profesionist të cilët me krenari do t’a përcjellim rrugën që ai e shtrojë për ne! Kritikat e ndërsjella profesionale mua personalisht më kanë bërë të rritem dhe të forcohem profesionalisht!

Në këto momente, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit Ahmet, është vendosur fotografia e tij dhe është duke u zhvilluar ceremonia e homazhit. / KultPlus.com

Të ngjajshme