6 Dhjetor, 2019 - 4:52 pm
Xhemile Hysenaj
Për herë të parë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u realizua shfaqja premierë e koreografit të njohur, Eno Peçit, shkruan KultPlus.
”Exil”, u interpretua mbrëmë nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, shfaqje kjo nën konceptin dhe koregorafinë e Eno Peçit.
Tema që trajtohej kishte të bënte me një ngjarje mjaft të dhimbshme dhe delikate. Shpalosej para publikut ikja e shqiptarëve nga Shqipëria në fund të viteve të 90′, periudhë kjo që konsiderohet si një periudhë mjaft e errët për Shqipërinë. Ajo çfarë e bënte këtë temë edhe më të dhimbshme, ishte fakti se gjatë asaj periudhe, prindërit ishin ata që i nxisnin fëmijët e tyre të largoheshin nga Shqipëria, për një jetë më të mirë.
Fokusi i temës është në dy familje, familje këto që vazhdimisht tentojnë t’i shtyjnë fëmijët e tyre drejt ikjes nga vendi. E këta të fundit, nuk pyeteshin se a pajtoheshin të iknin apo jo, ata mbushnin valixhet dhe iknin të pikëlluar.
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, përmes performancës së tyre, që dukej sikur e jetonin ngjarjen e asaj periudhe të errët, shpalosën dhimbjen e sakrificën që është bërë gjatë atyre viteve.
”Pas shfaqjes u ndjeva i çliruar, i çliruar pozitivisht. Pas gjithë asaj pune dhe lodhjeje që kemi pasur gjatë provave, gjithçka përfundoi shumë mirë. Kemi kaluar shumë mirë me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës. Procesi që kemi bërë ka qenë shumë i frytshëm”, potencoi Eno Peçi për KultPlus.
Peçi, poashtu tregoi për KultPlus se mendon që të vazhdojë të bashkëpunoj përsëri me Baletin Kombëtar të Kosovës, e sidomos pas kësaj shfaqjeje që sipas tij ka dhënë rezultate mjaft të mira.
Balerina Teuta Krasniqi, që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje, deklaroi për KultPlus se ka qenë shumë e emocionuar, mirëpo edhe shumë e kënaqur pasiqë sipas saj, koreografi Eno Peçi ka bërë një punë të mrekullueshme.
”Jam ndjerë shumë mirë dhe shumë e emocionuar nga reagime e publikut. Duartrokitjet e publikut janë ato që na mbajnë gjallë, është ndjenjë e papërshkrueshme, janë një shtytje shumë e madhe për ne”, potencoi ajo për KultPlus.
Vjollca Llugiqi, u shpreh se kjo është njëra ndër shfaqjet më të bukura moderne, ajo poashtu tregoi për KultPlus se kjo shfaqje i fali emocione shumë të mëdha.
”Kam pasur shumë emocione, është një shfaqje përmes së cilës kemi ndje shumë, pasiqë edhe tem ka qenë shumë e ndjeshme”, deklaroi ajo për KultPlus.
Shfaqja ngjalli emocion të pashoq te publiku, me duatrokitje qe vazhduan me minuta të tërë, përfundoi një shfaqje që publikut i la mbresa të pashoqe.
Shfaqja ”Exil”, ishte shfaqja e katërt dhe e fundit si premierë për këtë vit. / KultPlus.com