1 Shkurt, 2025 - 5:30 pm
Balerini dhe koreografi i njohur Ilir Shaqiri ishte i ftuari i radhës i Kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.
Me një karrierë dhe jetë të ndërtuar mes Shqipërisë dhe Italisë, Shaqiri tregoi rrugëtimin e tij artistik, ndërsa u ndal te sfidat me të cilat përballet arti i baletit në Shqipëri në përgjithësi, ku sfidë sipas tij mbetet “pasurimi me gjakun e ri”.
I lindur në një familje balerinësh të mirënjohur, prej shumë vitesh tashmë ai jeton në Itali ku edhe ka krijuar familjen e tij.
Me rreth 35 vite eksperiencë në skenën shqiptare dhe atë italiane ku ka dhuruar emocione si balerin në programe të njohura italiane si, “Buona Domenica”, “Amici”, dhe ”La Corrida”, Shaqiri tregon se asnjëherë nuk e ka parë veten të shkëputur nga Shqipëria, ku ka realizuar edhe produksione të suksesshme ndër vite.
“Yjet e diasporës shqiptare” është produksioni i tij i fundit artistik që do të nisë në 2 shkurt, i cili synon të krijojë një urë lidhëse me talentet shqiptare nëpër botë.
Për Shaqirin, Shqipëria është transformuar shumë vitet e fundit duke ofruar atë dinamizëm, të cilin siç u shpreh ai nuk e gjen dot më as në Itali.
“Italia vitet e fundit ka një lloj lodhjeje. Mbyllen kompanitë e kërcimit, të aktrimit, artit. Trenat janë të shpejtë ndërsa njerëzit janë bërë shumë të ngadaltë”, u shpreh ai.
Ndërkohë në Shqipëri, sipas tij, “ndryshimi është shumë i madh”. “Dinamika e shtetit, e njerëzve është ajo që çon gjithë punën para. Është në një cikël Shqipëria ku nuk ka nevojë shumë për fjalë se sa për vepra. Këtu thuhen gjërat dhe çohen deri në fund, kjo në ndryshim nga Italia sot, ku shumë produksione lihen në mes për mungesë fondesh”, u shpreh ai./ KultPlus.com