Balet në Shëngjin, trupa e baletit del nga teatri/ Shfaqje për pushuesit

15 Korrik, 2023 - 1:30 pm

Trupa Kombëtare e Operas dhe Baletit ka dalë nga skena e teatrit. Mbrëmjen e së premtes ajo performoi në ambient të hapur në një nga perlat e Veriut, bregdetin e Shëngjinit.

Balerinët sollën emocionet e para pas performances, ku ndryshe nga herët e tjera ata ishin më pranë publikut.

“Fakti që spektatori është shumë afër, është një gjë që të mbush me shumë përgjegjësi dhe me shumë emocion. Ne jemi mësuar përgjithësisht ta kemi më larg spektatorin, ndihemi si zotër, nërkohë që këtu është pak e vështirë në “open air”, shprehet Rovena Shqevi.

Në vendin ku e shkuara bashkohet me të tashmen, trupa solli klasiken dhe modernen bashkë në skenë, si një lavd për natyrën.

“Mesazhi i kësaj vepre është shumë i rëndësishëm në ditët ku jetojmë. Humusi, toka, fakti që ne duhet të kujdesemi për këtë ambient ku jetojmë, për universin tonë që e kemi lënë kaq shumë pas dore dhe po e dhunojmë kaq shumë. Shpresoj që të jetë dhënë dhe të jetë marrë mesazhi i duhur”, thotë Rovena Shqevi.

Një himn i përkthyer në silueta, që e bërtasin fort ekzistencën e natyrës dhe dashurinë për tokën është kjo fabula qe koreografi Julind Dervishi solli për pushuesit.

“Idea ishte që ne të krijonim një shfaqje për ambientin, për mënyrën se si ne e trajtojmë ambientin dhe idea ishte që të kishim mundësi të sensibilizonim një pjesë të njerëzve”, u shpreh koreografi Julind Dervishi.

Ky aktivitet vjen si risi në qytetin bregdetar të Shëngjinit, ku publiku ishte më pranë balerinëve duke shijuar performancen e here pas here duke i shoqeruar me levizjet e tyre dhe shume duartrokitje./top chanel/ KultPlus.com

Të ngjajshme