3 Tetor, 2018 - 5:48 pm
Alberina Haxhijaj
Koreografi Israel Rodriguez është rikthyer për herë të katërt në Prishtinë, për të sjellë nesër mbrëma së bashku me Trupën e Baletit premierën e shfaqjes “Le Corsaire”.
Shfaqja e baletit “Le Corsaire” e cila është një ndër shfaqjet pjesë e repertorëve nëpër teatro të ndryshme prestigjioze të botës, nesër mbrëma do t’i shtohet edhe repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Koreografi Rodriguez dhe balerinët e Trupës së Baletit kanë punuar së bashku për të sjellë historinë e piratit Conrad i cili vjen përmes lojës së balerinit Sinan Kajtazi. Historia e piratit i cili udhëton nëpër det të hapur në kërkim të vajzës së bukur të haremit, Medorës (Teuta Krasniqi), do vijë në një version plotësisht ndryshe në Prishtinë.
Sipas koreografit ndryshimi do të vërehet sidomos në pjesën e fundit të cilën ai e ka ndryshuar pothuajse tërësisht.
“Është një pjesë shumë e fuqishme dhe një shfaqje të cilën shumë balerinë kanë dëshirë që ta kenë në CV-në e tyre. E di me siguri që të gjithë kemi punuar shumë për të sjellë më të mirën në Kosovë, për publikun në Prishtinë”, u shpreh koreografi duke theksuar se idetë dhe planet për këtë shfaqje i kishte menduar gjatë kohës sa ka qëndruar në Amerikë në mënyrë që posa të kthehej të fillonte punën me balerinët.
“Kur erdha këtu këtë herë u përballa me problemet ekonomike nëpër të cilat arti po kalon dhe duke ardhur nga një vend tjetër mundem vetëm ta imagjinoj se sa e vështirë është për baletin por edhe për valltarët që të sjellin çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka qenë e mahnitshme sesi Ahmeti si drejtor më ka mbështetur mua por edhe të gjithë balerinët duke marrë parasysh rrethanat. Besoj që do jeni të kënaqur me rezultatin e punës që do të shihni nesër”, theksoi ai.
Rodriguez u shpreh i lumtur me faktin se balerinët kanë dhënë maksimumin e tyre dhe kanë lënë prapa tyre çdo problem në momentin që kanë filluar ushtrimet. Sipas tij kjo ka shumë rëndësi pasi që e ka provuar edhe vet ndjenjën kur punon shumë në studio por përsëri mendimet janë diku tjetër.
Balerina Teuta Krasniqi tregon se realizimi i shfaqjes “Le Corsaire” brenda një muaji ka qenë një sfidë duke marrë parasysh se shfaqja me formë të tillë kërkon së paku tre muaj punë.
“Nuk ka qenë e lehë që një shfaqje e cila normalisht zgjatë deri në 2 orë e gjysmë ta sjellim brenda 45 minutave në mënyrë që të mos humbë lidhshmëria e shfaqjes. Siç e theksoi edhe koreografi historia e shfaqjes është mjaft e komplikuar. Po ashtu nuk ka qenë e lehtë as të sjellim një shfaqje të tillë kaq të madhe brenda një muaji kur edhe nëpër trupat botërore e që kanë numër të madh të balerinëve kërkohen së paku 2-3 muaj”, u shpreh ajo.
Pikërisht vizionit të koreografit i beson shumë drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, prandaj ai ja ka besuar realizimin e kësaj shfaqje koreografit kohë më parë.
“Puna e koreografit në të kaluarën ka qenë e mirë dhe ka sjellë rezultate të mira edhe në kualitetin e shfaqjes por edhe energji pozitive në mes të balerinëve prandaj kemi vendosur që këtë shfaqje kaq të madhe të ia besojmë atij”, tregon Brahimaj.
Tutje ai u shpreh se sa i përket punës së balerinëve duhet që të potencohet se ata kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë që të sakrifikojnë përderisa punojnë në kushte të vështira.
“Jo vetëm ne por të gjitha institucionet e kulturës jemi në njëfarë kollapsi dhe shpeshherë krijohet përshtypja sikur shteti dëshiron me na largu apo dëshiron ti shuaja institucionet e kulturës. Që katër muaj na i kanë larguar financimet që i kemi pasur dhe kemi shumë problem. Mirëpo përkundër kësaj jam i kënaqur që kemi arritur që për këtë shfaqje së paku të kryejmë obligimet që kemi ndaj koreografit”, është shprehur Brahimaj.
Premiera e shfaqjes ‘Le Corsaire” vjen nesër, më 4 tetor, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com