Baleti i Kosovës letër të hapur, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ministrit të kulturës

7 Shtator, 2018 - 1:44 pm

Trupa e baletit të Kosovës i është drejtuar me një letër të hapur, kreparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të kulturës, Kujtim Gashi, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si, Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Trupa e Baletit të Kosovës edhe pse i është bashkangjitur grevë janë duke vazhduar punën e tyre kjo pasi që nuk mund të jenë neglizhent ndaj aktiviteteve të shumta që kane planifikuar në agjendën e tyre. Në këtë letër Trupa e Baletit shfaqë problemet financiare që janë duke e hasur e që po ndikojnë në realizimin e shfaqjeve në Kosovë por edhe në prezantimin e tyre në vendet e tjera jashtë Kosovës.

Sipas tyre të shtyrë nga kjo situatë e rëndë e krijuar, ata janë të detyruar që të shqyrtojnë vazhdimin e aktivitetit të tyre si balerinë. Më poshtë mund të lexoni reagimin e tyre.

Njoftim

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj

Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, z.Kujtim Gashi

I nderuari Kryeministër z.Haradinaj dhe Ministër z.Gashi,

Baleti Kombëtar i Kosovës ju drejtohet përmes këtij njoftimi, në lidhje me situatën shqetësuese e cila po mbretëron në tre muajt e fundit në Institucionet e Kulturës, e cila ka përfshirë edhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Baletit Kombëtar të Kosovës, ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe ka zhytur totalisht në kolaps Institucionin tonë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës sonë si Institucion.

Marrëveshjet me artistë dhe Festivale jashtë vendit dhe turne nëpër Evropë të cilat BKK i ka planifikuar dhe futur në agjendë për vitin 2018, janë të rrezikuara si pasojë e bllokimit të buxhetit, dhe kjo situatë e krijuar ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ju rikujtojmë që BKK ka reputacion të konfirmuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit si Institucion serioz, i cili vetëm brenda këtij viti, është prezantuar me shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës si në; Berlin, Hamburg, Paris, Graz, Sveti Vlas (Bullgari) etj, dhe mosrealizimi i marrëveshjeve paraprake me partnerë kombëtar e ndërkombëtar, do të jetë fatal për rrugëtimin edhe ashtu me shumë probleme të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Koreografi z.Israel Rodriguez, ka udhëtuar nga SHBA për në Prishtinë me dt. 25 Gusht 2018, për të realizuar premierën e radhës së BKK, e cila do të jetë me dt. 4 Tetor dhe më duhet të ju bëj me dije që Institucioni jonë, për shkak të bllokimit të buxhetit, nuk ka mundësi të kryej obligimet ndaj të ftuarit.

BKK me datë 13 Shtator do të udhëtoj për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të shfaqur baletin “Xhulieta pa Romeon”, dhe për momentin nuk kemi mjete për të realizuar këtë udhëtim.

Në muajin Tetor, BKK do të udhëtoj për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, turne i cili është planifikuar para më shumë së një viti, dhe situata e krijuar kohëve të fundit, rrezikon seriozisht realizimin e këtij turneu me vlerë, jo vetëm për ne si Institucion, por edhe për kulturën e vendit tonë.

Të nderuar, ju rikujtojmë që Baleti Kombëtar i Kosovës, që nga mbas lufta, aktivitetin e vet e ka zhvilluar në kushte të rënda, dhe falë vullnetit dhe dëshirës për të ruajtur këtë Institucion me vlerë për vendin tonë, kemi bërë të pamundurën, duke punuar përtej kushteve që na janë ofruar, duke shpresuar që vështirësitë do të shkojnë duke u zvogëluar.

Për fat të keq, ditëve të fundit ka ndodhur e kundërta. Gjendja në të cilën jemi për momentin është tejet dëshpëruese për ne, sepse pamundëson dhe paralizon komplet aktivitetin dhe realizimin e projekteve tona, duke vënë në dyshim mundin dhe sakrificën që e kemi bërë për vite të tëra, që Baleti Kombëtar i Kosovës të gëzoj respektin që ka sot.

Kolegët tanë nga institucione të tjera janë në grevë për mosrealizimin e kërkesave të tyre, të cilat si të tilla ne si Institucion i mbështesim, por pa ndërprerë punën, sepse arti të cilin ne e zhvillojmë, është art fizik dhe çdo ditë e humbur është tejet e dëmshme për realizimin e shfaqjeve.

Rregullorja e cila është në procedim e sipër, për rritjen e pagave të performuesve, ne mendojmë që është diskriminuese për disa nga Institucionet e Kulturës, dhe si e tillë nuk mendojmë se do të zgjidh problemin e pagave për performuesit.

I nderuari Kryeministër dhe Ministër, ne si artistë jemi të obliguar dhe të zotuar që të ruajmë vlerat e Institucioneve që iu takojmë, sepse kemi derdhur djersë në kushte të rënda, për të krijuar respekt dhe vlera, por kjo situatë nuk mund të vazhdoj pafundësisht, sepse ne nuk mund të dalim prej vetes dhe të bëjmë mrekulli dhe me shqetësim të thellë ju njoftojmë që ne si trupë, të shtyrë nga kjo situatë e rëndë e krijuar, jemi të detyruar të shqyrtojmë vazhdimin e aktivitetit tonë si balerinë.

Shpresojmë shumë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, për të mirën tonë të përbashkët!

Me respekt,

Baleti Kombëtar i Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme