7 Prill, 2021 - 10:52 am
Dy rryma krejtësisht ndryshe nga njëra-tjetra, do të frymojnë së bashku në premierën e parë për këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës, duke shpalosur kështu lëvizje, hapa dhe kërcime fizike të reja në një tempo mjaft të definuar, shkruan KultPlus.
Para disa javëve në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kanë filluar provat e trupës së Baletit për premierën e titulluar “Entre dos Aguas” & “Troy Game’’, e realizuar nën koreografinë e Robert North.
Kjo koreografi shpalos dy pjesë krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra, ku në pjesën e parë ‘Entre dos Aguas’, luajnë balerina dhe balerinë dhe kuptimi i saj do të thotë ‘në mesin e dy ujërave’ e cila shpalos dashurinë dhe dijeninë e koreografit North, për kërcimin në stilin flamengo, ndërsa në pjesën e dytë ‘Troy Game’, luhet vetëm me balerinë dhe shpalos dashurinë e koreografit për muzikën dhe ka të bëjë me termin ‘djemtë janë djemë’, duke futur kështu në ‘luftë’, talentin e gjithanshëm të 8 balerinëve në gjithsej 23 minuta të kërcimit.
Pjesa e parë e koreografisë është e realizuar në vitin 1984 në Londër, ndërsa pjesa e dytë është realizuar në vitin 1974, e cila është luajtur edhe nga 15 trupa të mëdha botërore të baletit. E njëra nga këto trupa do të jetë edhe ajo e baletit kombëtar të Kosovës.
Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi me koreografin North, na tregon edhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.
“Bashkëpunimi me koreografin e njohur Robert North ka ardhur nëpërmjet koreografit Mehmet Balkan, ku pikërisht përmes tij ka filluar ky projekt. Prandaj për trupën e baletit është një privilegj i madh që të realizojë dhe performojë veprat e tij’’ thotë Musolli për KultPlus.
Sipas tij, procesi është shumë i ngarkuar sepse të dy pjesët janë shumë specifike në stilin e tyre, edhe në aspektin muzikor dhe në aspektin e lëvizjeve. Në pjesën e parë do të ketë një stil spanjoll kurse pas një ndërprerje 10-15 minutëshe, për ndërrimin e kostumeve dhe shfaqjen e një botë tjetër në pjesën e dytë, e cila përmban lëvizje krejtësisht të ndryshme me një stil të arteve marciale braziliane, japoneze e të tjera.
Ndërsa në pamundësi që vetë koreografi të jetë prezent për shkak të kohës pandemike, ata që po vëzhgojnë gjithë procesin janë asistentët e tij, Julian Moss dhe Lale Balkan. Për të na folur për provat dhe atmosferën para një premiere, për KultPlus tregon edhe vetë Julian.
“Ne kemi pasur një ftesë nga Niki për të sjell punën e Robert North’s këtu, gjë që është shumë emocionuese sepse po ndodh për herë të parë në Kosovë. Procesi ka filluar në një periudhë më pak se një muaj dhe ka shkuar shumë mirë deri tani. Për momentin jemi në një pjesë shumë intensive, pothuajse sikur jemi duke kërkuar për një diamant i cili është i vrazhdë dhe duhesh ta lustrosh deri në shkëlqimin perfekt të tij”, thotë Julian.
Sipas tij, duhet që koreografia të rafinohet para se të shfaqet në skenë së bashku me ndriçimin, kostumet të cilat nisin nga zero e mbërrijnë në performancë. Balerinët janë duke bërë një punë shumë të mirë, por normalisht është gjithmonë e vështirë që balerinët të mësojnë një stil të ri.
“Secila kompani që takon, sjell një identitet të ri, probleme të reja e po ashtu edhe zgjedhje të reja, andaj edhe pse baleti është vendosur, procesi ende evoluon. Është vetë jeta. Prandaj edhe pse pothuajse secili ka një solo për të performuar, është e rëndësishme i gjithë grupi dhe bashkëpunimi i tyre duke kërcyer për të shprehur një lojë ideore, nga e cila është vështirë të mos duash të kërcesh”, përfundon Moss.
Se si po zhvillohen provat për një hapje të re të një stili të veçantë të paemërtuar ende, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.
“Jemi shumë mirë me prova, me Lalen nuk hera e parë që po bashkëpunojmë, kurse sa i përket anës tonë jemi shumë të privilegjuar që kemi edhe një asistent si Gulio i cili ka njohuri të të mëdha rreth baletit, i cili vazhdimisht po na korrigjon në mënyrën e ushtrimit të lëvizjeve të reja që i kemi në këtë shfaqje”, thotë Vuniqi.
Sipas tij, shfaqja është shumë e madhe dhe Julian është shumë i përpiktë në punën e tij sepse fokusi është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe vrazhdësia e tij në aspektin disiplinor po i ndihmon atyre si balerinë që të ndihen më mirë duke plotësuar kriteret e tij.
“Një tingull ka dy lëvizje prandaj është edhe pak më e vështirë sesa shfaqjet e tjera të realizuara, kur ka kohë për të marrë frymë. Vazhdimisht gjatë gjithë kohës jemi në kontakt me njëri-tjetrin sepse fokusi është më detajizues sesa shfaqjet tjera prandaj edhe mendoj se publikut do ti pëlqejë shumë, duke pasur parasysh se nuk janë mësuar të shohin një stil të tillë”, përfundon Vuniqi.
Premiera e shfaqjes ”Entre dos Aguas” & “Troy Game”, do të vjen më datë 15 prill, por se në cilën mënyrë do të shfaqet dhe a do të ketë publik, ende mbetet e pacaktuar. / Era Berisha / KultPlus.com