3 Qershor, 2024 - 5:36 pm
Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet me shfaqjen “Shtegtimi” në teatrin e Manhattanville University të New York-ut.
“Shtegtimi” me koreografi nga Antonio Pio Fini, u realizua si premierë në Kalabri të Italisë, në korrik tē vitit 2023.
Koreografia “Shtegtimi” nga Antonio Finì, një balerin dhe koreograf me origjinë arbreshe, eksploron tema universale të migrimit përmes gjuhës së lëvizjes. Kjo performancë nxjerr në pah përvojat dhe sfidat me të cilat përballen emigrantët, duke ofruar një anë emocionale dhe të fuqishme interpretimi të udhëtimit të tyre. Në koreografinë “Shtegtimi”, ngjyrat luajnë një rol të rëndësishëm.
Ndërsa kërcimtarët lëvizin nga një skenë në tjetrën, shtohen shtresa ngjyrash të gjalla, që përfaqësojnë kulturat e ndryshme që kanë emigrantët të cilat i bartin me vete dhe i fitojnë përgjatë udhëtimit të tyre, ngjyra të simbolizojnë pasurinë dhe diversitetin që lindë nga takimi i traditave dhe historive të ndryshme.
Një element dallues i kësaj shfaqjeje është përdorimi i këngëve arbreshe, të cilat kërcimtarët i këndojnë gjatë performancës së tyre. Këto këngë jo vetëm që i shtojnë një element muzikor tërheqës koreografisë, por edhe një lidhje të thellë me kulturën dhe rrënjët e arbreshëve. Te meloditë dhe tekstet e këngëve rrëfejnë historitë e një komuniteti emigrant, duke ngjallur ndjenja të nostalgjisë, shpresës dhe qëndrueshmërisë.
Nëpërmjet “Shtegtimit”, Antonio Finìi përcjell një mesazh mirëkuptimi dhe solidariteti ndaj atyre që e gjejnë veten në një rrugë migrimi. Koreografia e tij kap bukurinë dhe kompleksitetin e kësaj përvoje universale, duke i kujtuar audiencës rëndësinë e mirëseardhjes dhe respektimin e kulturave dhe identiteteve të ndryshme.
Shfaqja jepet më 6 qershor, në teatrin e Manhattanville University në New York./ KultPlus.com