22 Dhjetor, 2017 - 11:29 am
Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë përmbylli një vit të suksesshëm me një numër rekord të shfaqjeve. Shfaqja “New Born”, që erdhi mbrëmë me koreografi të gjermanëve Jochen Roller dhe Friderike Lampert, shënoi premierën e gjashtë të BKK-së, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Trupat e balerinëve u shfaqen me veshje më të jashtëzakonshme, që tregonte edhe për rrjedhën e mëtutjeshme të kësaj shfaqje. Dymbëdhjetë balerinë vijnë të veshur me ngjyra të ushtrisë, e me çorapë rozë për të rikujtuar kështu edhe ngjyrat ushtarake të kamuflazhit në monumentin “New Born” të vitit 2014 atëherë kur edhe koreografi Jochen Roller kishte vizituar për herë të parë këtë monument.
Me një ndriçim sa në të zbehtë, e herë në të kuqen fokusonte lëvizjet dinamike të dymbëdhjetë balerinëve të cilët largohen, e kthehen për gati dhjetë herë nga skena dhe gati asnjëherë me një pozicionim të njëjtë. Dinamika e veçantia e kësaj shfaqje vjen në lëvizjet e tyre, të cilat vijnë në një muzikë tejet të modernizuar.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha për KultPlus se këtë vit e cilëson si shumë të suksesshëm pasi që në historinë e Baletit Kombëtar të Kosovës nuk është shfaqur asnjëherë një numër kaq i madh i premierave.
“Kjo është maksimumi që mund ta bëj një institucion, një trupë e baletit. Edhe pse kjo shfaqje ka qenë dinamike dhe shumë e lodhshme me lëvizje të baletit klasik me muzikë moderne po prapë trupa e përballoi shumë mirë”, tregoi drejtori Brahimaj, duke thënë se ai personalisht është frikësuar se si do të pritet kjo shfaqje nga publiku, dhe ndihet i kënaqur me duartrokitjet të cilat e përcollën shfaqjen e fundit për këtë vit.
Koreografja Friderike Lampert, tregoi se vjen për herë të parë në Kosovë ku kanë qëndruar për plot pesë javë. Ajo thotë se ndihet shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me balerinët kosovarë, ndërsa për këtë shfaqje thotë se kanë kaluar në një proces interesant, që përveç punës u ka sjellë atyre dhe kënaqësi.
“Javën e parë ne u njoftuam më shumë me balerinët dhe kjo bëri që ne t’i ndryshojmë planet tona pasi që ata ishin balerinë të shkëlqyer dhe vendosëm që ta përdorim fjalorin e baletit me muzikë “deep house” . Ata e kuptuan aspektin bashkëkohor të shfaqjes që të vendosin lëvizjet e tyre në muzikë deep house”, tregoi koreografja Lemper.
Ajo tutje tregoi se koncepti i kësaj shfaqje ka qenë që lëvizjet tradicionale të baletit t’i sjellin në një version më modern dhe me kostumet të cilat tregonin një lidhje me monumentin “New Born”, dhe me zemrat ngjyrë rozë për të thyer imazhin e ushtrisë me këtë kamuflazh të zemrave ngjyrë rozë.
Ishin dymbëdhjetë balerinët që i dhan vulën e fundvitit shfaqjeve të Baletit Kombëtar për këtë vit. Shfaqja përbehej nga loja e : Muhamet Bikliqi, Donmir Bilalli, Abetare Hyseni, Aulonë Nuhiu, Sinan Kajtazi, Teuta Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Sead Vuniqi.
Balerini Sinan Kajtazi tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me bashkëpunimet që kanë pasur me koreografë të ndryshëm gjatë këtij viti. Ai mbrëmë tregoi për KultPlus se për dyzetë ditë punë kjo shfaqje me koreografët gjerman ka qenë edhe një sfidë, pasi që edhe pse koreografët kanë edhe një përvojë në baletin klasik, stili i tyre është ndërtimi i shfaqjeve eksperimentale.
Kurse balerina Jeta Musolli tregoi se edhe pse është hera e parë që në një shfaqje më të jashtëzakonshme bashkëpunojnë me koreografët gjerman, ajo tha për KultPlus se puna me ta është një nder dhe privilegj për trupën e baletit. Duke e parë si një rezyme punën e baletit të Kosovës gjatë këtij viti, Musolli tha se e gjitha ka rezultuar në një eksperiencë për punën e saj, dhe ndihet e kënaqur që ajo dhe balerinët e tjerë të japin sa më shumë nga vetja në këtë moshë që edhe ua mundëson atyre të ushtrojnë këtë art jo dhe shumë të lehtë, veçmas kur flitet për kushtet në të cilat punohet.
Puna dinamike që solli Trupa e Baletit mbrëmë në shfaqjen e fundit në Prishtinë, në muajin prill të vitit tjetër do të udhëtoj për në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut./KultPlus.com