Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti drejt Parisit

15 Maj, 2018 - 11:00 am

Salla mitike e Pallatit e vendosur në rrethin e 9-të të Parisit është duke u përgatitur për të mirëpritur në qershor për tre data të jashtëzakonshme valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës, si pjesë e vitit ndër-kulturor Francë-Kosovë, shkruan KultPlus.

Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit (CID / UNESCO) ka lajmëruar për shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës në Paris në faqen speciale “Panorama” – ku publikohen ngjarjet më të rëndësishme të vallëzimit nëpër botë

Kosova është një vend që ka një histori e dhimbshme. Për të festuar dhe treguar këtë vend, valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës do të performojnë në skenën e Pallatit prej 1 deri në 3 qershor.

Balerinët do të sjellin shfaqjen e quajtur “Recomposed”, një shfaqje bashkëkohor me koreografi nga Christophe Béranger dhe Jonathan Pranlas-Descours. E projektuar për 20 interpretues, ka fonogramin Katër stinët e Vivaldit të rishkruar nga kompozitori Max Richter. Si një përfaqësim i historisë kosovare, tregimi tregon historinë e njëzet viteve të fundit të rindërtimit të një vendi nga gërmadhat. Një shfaqje prekëse që lëkundet midis së kaluarës dhe së ardhmes.

Baleti Kombëtar i Kosovës, një ambasador i shquar për artin dhe kulturën e Kosovës jashtë vendit, është duke u shfaqur për herë të parë në Paris më 1, 2 dhe 3 qershor 2018 në Teatrin Le Palace të famshëm të kryeqytetit.

Baleti Kombëtar i Kosovës u krijua në vitin 1972. Në vitin 1991, valltarët e baletit të Kosovës u detyruan të dilnin nga teatri. Në atë moment, baleti ndaloi të gjitha aktivitetet e tyre. Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj, drejtor aktual, hapi shkollën e parë të baletit, si pjesë e shkollës së mesme muzikore “Prenk Jakova”.
Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungese, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u kthye në skenë, shoqëruar nga kërcimtarë të rinj të shkollës. Baleti Kombëtar ka shfaqur sukses në disa vende të botës, përfshirë Italinë, Zvicrën, Austrinë, Gjermaninë, Bullgarinë, IRJM-në dhe shumë të tjerë.

Baleti Kombëtar i Kosovës është anëtar i CID që nga janari i vitit 2014. Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1973 në selinë e UNESCO-s në Paris, ku është e bazuar.

Anëtarët e saj janë federatat më të shquara, shoqatat, shkollat, kompanitë dhe individët në mbi 170 vende./ KultPlus.com

Të ngjajshme