9 Gusht, 2022 - 2:34 pm
Shfaqja “Balkan Bordello”, një bashkëprodhim mes Qendres Multimedia dhe teatrit La MaMa (SHBA); Atelie 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi) është vlerësuar si shfaqja më e mirë në edicionin e sivjetmë të Nisville Jazz Theater Festival në Nish të Serbisë.
Më poshtë po ju sjellim vlerësimin e jurisë të përbërë nga: Jocelyn Pook, Nataša Gvozdenović, Igor Burić.
“Juria ka vendosur se çmimi për shfaqjen më të mirë duhet t’i shkojë shfaqjes “Balkan Bordello” nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt, prodhuar nga La MaMa Neë York në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, Atelie 212 dhe My Balkans.
Kjo shfaqje e bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit, në dramaturgjinë e vet mbërthen edhe momentumin bashkëkohor të historisë së Evropës, sidomos atë të Ballkanit ku luftërat e fundit kanë lënë shumë pasoja. Shfaqja përfaqëson një punë të jashtëzakonshme të artistëve të cilët arrijnë jo vetëm të rrëfejnë tregimin por edhe të na ftojnë thellë brenda botës së përplasjeve ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, burrave dhe grave, të shenjtëve dhe njerëzve të zakonshëm, lindjes dhe perëndimit. Të gjitha elementet e produksionit janë të mirë-balancuara dhe udhëhiqen nga një aktrim briliant e i sinqertë”.
Shfaqja do të vazhdojë turneun veror në Ohrid Summer Festival (10 gusht); në KotorArt International Festival (12 gusht) dhe Ëild Beauty Art në Zabljak (13 gusht). / KultPlus.com