2 Qershor, 2022 - 1:33 pm
“Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi u ngjit mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.
Interpretimi i artistëve të huaj dhe vendas u duartrokit nga publiku kryeqytetas, i cili kishte mbushur sallën e TKOB.
Në shfaqje ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila shprehu vlerësimin për këtë shfaqje emocionuese.
“Duartrokitje dhe mirënjohje për regjisoren italiane Mariana Bianchi, trupën tonë të solistëve, këngëtarët e ftuar, korin nën drejtimin e Dritan Lumshit, orkestrës nën dirigjimin e Deniola Kurajës dhe pa dyshim miqve tanë të Teatrit të Regio di Parma, që sollën në Tiranë skenografinë e restauruar të vitit 1913”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.
Për vënien në skenë të veprës më të vjetër të teatrit kanë punuar artistët e teatrit Regio di Parma si dhe artistët shqiptarë. Kjo shfaqje është konkretizimi i protokollit të bashkëpunimit mes dy teatrove.
E bën unik këtë vënie të operës së Verdit me katër akte, trashëgimia skenografike italiane, që daton 109 vite më parë dhe është zbuluar rastësisht në magazinat e Teatrit Regio di Parma, pa pasur askush dijeni për ekzistencën dhe vlerat e tij. Pas restaurimit që mori një vit kohë është shfaqur në Itali ku protagonisti konti, interpretohej nga tenori shqiptar Saimir Pirgu.
Giuseppe Verdi u lind në Le Roncole, në 10 tetor të vitit 1813. Verdi shfaqi që në vogëli talentin e tij të jashtëzakonshëm për muzikën. Në formimin e tij kulturor influencë pati frekuentimi i bibliotekës së pasur të shkollës së Jezuitëve në Busseto.
“Ballo me Maska” do të shfaqet edhe në datat 2,3 dhe 4 qershor në skenën e TKOB.
Bashkëpunimi Teatro Regio Di Parma dhe TKOB do të vijojë edhe në dy vitet që pasojnë me operat “Traviata” e “Rigoleto”.
Nga 31 maji, deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë. Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian. Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore./ KultPlus.com