19 Gusht, 2023 - 11:01 am
Së fundmi, aktorja e vetme shqiptare në Preshevë, Egzona Salihu, është larguar nga puna në Teatrin e Preshevës, shkruan KultPlus.
E gjitha kjo, siç e shpjegon edhe Salihu, ka ardhur si pasojë që kjo e fundit nuk e mbështet kryetarin aktual të Preshevës.
Në anën tjetër, regjisori nga Kosova, Ben Apolloni, ka propozuar që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ta punësojë aktoren preshevare në njërin nga teatrot e Kosovës.
Postimi i plotë:
“Propozoj që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta punësojë aktoren preshevare, Egzona Salihu në ndonjërin nga teatrot e Kosovës. Egzona, që u largua nga puna në Teatrin e Preshevës, ka diplomuar në Kosovë dhe ka punuar edhe në projekte të ndryshme këtu.
Mendoj se ajo e meriton që të përkrahet dhe e di që teatrot e Kosovës kanë vende të lira nëpër ansamblet rezidente.
Ta përkrahim Egzonën, së paku derisa Presheva të kthehet sërish në duart e shqiptarëve të vërtetë”, shkruan ai.
Teatrot në Kosovë aktualisht janë në pushime, derisa pritet që shumë shpejt të rifillojnë punën. /KultPlus.com