Besa Llugiqi shkëlqen në premierën e operës franceze, vlerësohet lart nga presidenti bullgar

8 Tetor, 2020 - 11:13 am



Sopranoja e njohur kosovare, Besa Llugiqi, po vazhdon të korrë suksese në skenat e mëdha ndërkombëtare. Në sallën e stërmbushur të Pallatit Kombëtar të Kulturës , në Sofje të Bullgarisë, Llugiqi të martën interpretoi rolin e Ines në premierën e grand operës së njohur franceze në pesë akte, “L’Africaine”, me kompozitor Giacomo Meyerbeer, përcjellë KultPlus.

“Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe për mua si artiste të interpretoj një rol kaq të rëndësishëm siç është Ines, me kërkesa të mëdha teknike e interpretuese. Një shfaqje mbresëlënëse, me pritje fantastike nga publiku, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Bullgarisë”, deklaroi për mediat kosovare sopranoja Besa Llugiqi.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, e vlerësoi lartë interpretimin e Llugiqit për mediat e pranishme pas shfaqjes.

Për herë të parë në Ballkan grand opera “L’Africaine” është shfaqur në Stara Zagora të Bullgarisë, në nëntor 2019, një realizim i jashtëzakonshëm që erdhi si rezultat i bashkëpunimit me “Deutsch Oper Berlin”, me regjisoren bullgaro-gjermane me famë botërore, Vera Nemirova.

Sopranoja  Besa Llugiqi shfaqjen e radhës do ta ketë në Gdansk të Polonisë, me 9 nëntor të këtij viti, ku do të interpretojë rolin kryesor në operën e njohur franceze në tre akte dhe shtatë tablo, “Thaïs”, me kompozitor Jules Massenet. / KultPlus.com   

Të ngjajshme