Besim Ugzmajli sjell ‘Të bardhët’ në Qendrën Multimedia

23 Maj, 2024 - 12:12 pm

Në Teatrin Oda në Prishtinë, do të jepet premiera e shfaqjes më të re të Qendrës Multimedia, “Të bardhët”, e autorit amerikan Steven Leigh Morris, në regji të Besim Ugzmajli. Në shfaqje luajnë Shpetim Selmani, Verona Koxha e Bujar Ahmeti. ‘Të bardhët” është një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist e që shfaqet të premten, në ora 20:00, shkruan KultPlus. 

Në një teatër gjysmë-profesional në Tulsa, Oklahoma, drejtori artistik i kahmotshëm i teatrit, Luis, është duke aktruar dhe bërë regjinë e “Mbretit Lir” të Shekspirit – një dramë që pak a shumë i ngjan “Cinderellas”, për një mbret që vendos të pensionohet dhe ua dhuron pronat dy prej tri të bijave të tij që ia plotësojnë dëshirat, sipas qejfit të tij.

Teksa të gjithë provojnë skena nga drama, ngriten dy çështje qendrore. E para, për shkak se për rolet e motrave dinake të Kordelias, Luis ka zgjedhur aktore me ngjyrë, ndërkohë që Kordelia e mirë është e bardhë, Luis kujtohet se shfaqja që do të mbetet si shenjë e punës së tij, shumë lehtë mund të interpretohet si racistë. A mund ta zëvendësojë Priscillën me një aktore me ngjyrë, pa rrezikuar që teatri i tij të konsiderohet si “i këndellur” në mes të një Shteti të Kuq. Dhe, si ballafaqohet Priscilla me mundësinë që të zëvendësohet nga një aktore tjetër për arsye plotësisht racore? 

Edhe pse çështjet racore e gjinore që trajton kjo shfaqje janë të vendosura në një kontekst tjetër, atë amerikan, ato prap se prap reflektojnë edhe dinamikat shoqërore e politikat gjinore te ne. Kjo shfaqje vjen në një kohë kur, në një ambient konzervator e tradicionalist si ky i yni, diverziteti dhe konceptet e reja gjinore e seksuale janë duke u kuptuar e mbjell me frikë, e ku racizmi, i nxitur nga masmedia e rrjetet sociale, ka gjetur akoma më shumë teren për t’u forcuar e marr hov. ‘Drama amerikane e Oklahomës së largët, publikut te ne, në Kosovë, në Evropë, veç të tjerash, ia shtron edhe një pyetje sfiduese: në konkursin e radhës për drejtor të një teatri publik konkurron edhe një rom që ka shkollim superior dhe ka portofolion më impresive se sa dy kandidatët tjerë ‘evropian të bardhë’. Çfarë shancash ka kandidati romi në këtë garë?

Drejtor artistik i produksionit është Mentor Berisha, kostumografe: Njomza Luci, kompozitor: Memli Kelmendi, kurse dramën e ka përkthyer: Qerim Ondozi./ KultPlus.com

Të ngjajshme