6 Nëntor, 2020 - 2:00 pm
Medina Pasoma
Rreth 400 tituj me ekzemplarë të shumtë sot u gjendën në një nga tavolinat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të marrë vendet e tyre në raftet e bibliotekës së këtij institucioni, si dhuratë nga Qendra Multimedia, shkruan KultPlus.
Vepra nga autorë vendas e të huaj, kombinime të zhanreve të ndryshme letrare duke përfshirë poezi, prozë e kryesisht dramë dhe dimensione e pikëpamje të ndryshme përbrenda tyre, sot iu dhuruan Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ishte Qendra Multimedia ajo e cila e bëri këtë donacion në kuadër të bashkëpunimit të këtyre dy palëve në edicionin e sivjetmë të Kosovo Theater Showcase.
Këto libra u vendosën në raftet e bibliotekës së institucionit më të lartë teatror në vend, për të kaluar tash e tutje në duar të lexuesve të cilët pëlqejnë mënyrën e shkrimit, tematikat dhe autorët e veprave. Të pranishëm në ceremoninë e dhurim-pranimit të këtyre titujve ishin përfaqësues nga dy palët, teksa fjalën e morri i pari aktori i njohur Adrian Morina, i cili njëherit është edhe u.d i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Sot e kemi kënaqësinë shumë të madhe që si Teatër Kombëtar i Kosovës të pranojmë një dhuratë, e cila është më e shtrenjta që dikush ia ka bërë këtij institucioni. E tëra kjo vjen në kuadër të një bashkëpunimi që Teatri Kombëtar i Kosovës tash e një kohë e ka me Qendrën Multimedia, duke qenë partner të një Showcase-i teatror i cili e ka edicionin e tretë në Kosovë”, u shpreh Morina.
Për bibliotekën e TKK-së, Morina tha se është relativisht e varfër dhe se ka mungesë të dramave, me këtë rast shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që edhe shtëpitë botuese tjera të dhurojnë donacione.
“Komuniteti ynë ka shumë pak mundësi ose qasje në tekste të dramave të huaja prandaj, ju bëj ftesë krejt atyre që kanë mundësi t’i bëjnë një dhuratë si kjo e sotmja Teatrit Kombëtar të Kosovës sepse kemi nevojë që ta krijojmë një librari tonën ashtu siç e ka pasur dikur, e të cilën kemi pasur mundësi ta shohim përmes fotografive”, theksoj Morina.
Në anën tjetër ai u shpreh se në këtë institucion kulturor është krijuar një imazh që çdokush provon të merr diçka, e jo të dhuroj. Andaj pikërisht edhe donacionet e librave do ta dëshmonin të kundërtën.
Përgjatë ceremonisë, Adrian Morina shfrytëzoj rastin të tregoj për bashkëpunimet dhe punët e tjera që pritet t’i realizoj Teatri Kombëtar i Kosovës.
“Ne besojmë që në javën e ardhshme do të hapim thirrjen për laboratorin e dramës shqipe, në të cilën jemi bashkëorganizatorë Teatri Kombëtar i Kosovës, Qendra Multimedia, Teatri i qytetit të Ferizajt, Gjilanit dhe Etno Teatri në Kukaj”, njoftoj Morina.
Drejtori i Qendrës prej ku erdhën librat, Jeton Neziraj tregoj se këto libra janë koleksione të botimeve të përvjetshme të Multimedias, e që përbrenda vitit ata publikojnë 10 tituj.
“Sot i kemi sjellur rreth 400 tituj, shumica e tyre janë drama të autorëve kosovarë, të Shqipërisë, nga rajoni dhe ata ndërkombëtar, të cilat janë botuar në një periudhë prej 10 vitesh”, theksoj Neziraj.
Përtej Teatrit Kombëtar të Kosovës si institucion kulturor qendror, Qendra Multimedia dhurimin e librave e ka nisur edhe në teatrot lokale, duke përfshirë atë të Gjilanit e Ferizajt.
“Donacioni vjen si pjesë e serisë së dhurimit të librave që Qendra Multimedia e ka nisur këto dy vite, kryesisht bibliotekave të qyteteve të ndryshme, ku për këtë periudhe kemi shpërndarë nëpër biblioteka, falas, afërsisht 5000 tituj”, tha drejtori i kësaj Qendre.
Pjesëtarja e Qendrës Multimedia, Aurela Kadriu është shprehur se është e rëndësishme që të njëjtën iniciativë ta marrin edhe të tjerët, në mënyrë që të zgjerohen adresat e lexuesve.
“Ne e kemi parë në proces të punës që jo vetëm bibliotekat kanë nevojë të pasurohen me libra por, ka nevojë në rritje që teatrot të kenë kënde të leximit”, ka thënë Kadriu.
Tutje ajo theksoj se përgjatë tre viteve punë, kanë vëzhguar për së afërmi gjendjen e bibliotekave publike e lokale si dhe atyre të teatrove dhe se nuk është situata e kënaqshme.
“Mund të themi që gjendja është ‘për gjynah’ dhe ka nevojë për dhurata të tilla që ta mirëmbajmë kulturën e leximit”, vlerësoj Kadriu.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit ‘’Culture for change’’ nga Qendra Multimedia. / KultPlus.com