3 Shkurt, 2025 - 5:32 pm
Baleti Kombëtar i Kosovës, nesër në Ditën Botërore Kundër Kancerit jep premierë shfaqjen “HOPE”, shkruan KultPlus.
Sipas BKK “HOPE” është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës – përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.
“ Në terrin e frikës, një dritë lind ngadalë,
një shpirt që lëkundet, mes dhimbjes dhe mall.
E vetme qëndron, mes heshtjes së ftohtë,
por duar të ngrohta e ngritin sërish lart.
Mes dhimbjes dhe forcës, mes humbjes dhe shpresës,
një zemër që rreh, nuk dorëzohet lehtë.
Në dashuri gjen dritën e humbur,
në krahët e tjetrit, guximin e fshehur.
Dhe fundi sjell lulëzimin e saj,
një pemë që rritet nga loti dhe sharmi.
Sepse shpresa mbetet, s’ka frikë që e shuan,
në zemrat që duan, ajo kurrë s’fundoset “.
Premiera jepet më 04.02.2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në ora 19:30./ KultPlus.com