21 Mars, 2025 - 9:05 pm
Era Berisha
Fotografitë: Qëndrim Morina
“Deadline”, titullohet baleti bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, që mbrëmë audiencën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit e dërgoi brenda vorbullës së perfeksionit. Ka qenë një botë magjepsëse që rrallëherë vjen e trajtuar në këtë formë. Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë shpalosur historitë e një redaksie gazete e cila ka qenë në kulmin e epokës së artë të shtypit rreth viteve 1920 në një metropol evropian, shkruan KultPlus.
Pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit pritnin jashtë sallës në të cilën pas murit sipër ishte e kapur një fletëz e gjatë që vazhdonte gjerë në hyrje të sallës brenda, porsi një gazetë e letrës që shpaloset lehtë. Me mbishkrime si “Rilindja 1945”, tregoheshin fakte të asaj kohe që ishin të mbledhura në fletën e bardhë. Kjo atmosferë i mirëpriti të pranishmit që u ulën në vendet përkatëse dhe mbushën sallën plot.
Një mjegull drite në ngjyrë ari qe piktura që priste për ringjallje në prapaskenë. Reflektorët u gjallëruan fiks në orën 20:16, duke paraqitur kështu në skenë gjithsej tetë tavolina pas të cilave ishin të ngjitura tetë makina shkrimi. Tavolinat ishin lëvizëse dhe lëvizja sipër tyre apo rreth tyre është kufizuese por kjo nuk vlente aspak në rastin e mbrëmshëm. Figurat e balerinëve nisën lojën me akte aktrimi dhe eleganca e tyre ishte mbresëlënëse. Ata lëviznin si boja ngjyrë zezë sipër letrës së bardhë. Ajri në atmosferë të jepte ndjesinë e një urgjence, një tensioni që të shtynte të lëvizje këmbën vetë. Pëshpëritjet e lajmeve të fundit, shushurima e faqeve në tokë që binin nga makina e shkrimit dhe shikimet e shkëmbyera portretizonin garën me kohën dhe shpalosnin pasojat që vijnë kur ky afat nuk respektohet.
Pos tetë tavolinave, ishte një tavolinë e drurit ajo kryesorja në të cilën portretizoheshin mbledhjet kryesore. Trupat e balerinëve lëkundeshin si pikëpyetje, si pikëçuditëse, si presjet e mendimit të ndërprerë. Secili balerin ishte një gazetar, i pasionuar pas arritjes, secila balerinë – poete e kohës. Kostumet e tyre në anën tjetër, i jepnin një hijeshi të paparë lojës. Tregonin seriozitet, ashpërsi, autoritet, por në fund të fundit, ishin pikërisht trupat e tyre që tradhëtonin. Gjymtyrët e gjatë, të hollë e të trashë, shkrepnin fotografi lëvizjesh nga çasti në çast. Balerinët e BKK-së rikthyen pulsin tashmë të pangopshëm për audiencën e Prishtinës. Fuqia e tyre jepte ndjesi lakmitare.
Koreografi i këtij baleti, Sead Vuniqi, i cili njashtu është balerin i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka shpalosur një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive duke pasqyruar energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare.
Baleti “Deadline” trajtoi vështirësitë e kohës së viteve 1930-1940 në krahasim me realitetin e sotëm. Në atë periudhë, gazetat ishin një pjesë thelbësore e jetës së qytetit, ndërsa sot ato janë në zhdukje. “Deadline” është një term që e përcakton qartë ritmin e shfaqjes dhe ndjesinë e urgjencës që ndiejnë personazhet. Harqet e balerinëve patjetër që kanë shpuar audiencën me precizitetin dhe ndjenjën e ankthit.
Nga secili qosh, hijet e tyre qëndronin si vëzhgues të heshtur, redaktorë skeptikë, fantazma të historive të kaluara, të mbetura, të patreguara. Dritat e vëmendjes herë binin në tërësi, herë fokusoheshin në dy apo katër balerinë, varësisht kombinimeve dhe akteve performuese. Baleti Kombëtar i Kosovës kësaj here ka frymuar më ndryshe. Me “Deadline”, ata vulosën aftësinë e vallëzimit kontemporan, një frymë që sa vjen e shtohet akoma më shumë. Ndriçimi i ulët që i ngjasonte dritës së llambës ishte pika kryesore nëpërmjet së cilës dalloheshin lëvizjet e kyçeve të dorës dhe këmbëve. Dalloheshin edhe kthesat më të imëta. Balerinët e BKK-së shpërfaqën britmat e heshtura të atyre që luftojnë për t’u dëgjuar. Në atë redaksi të artë, historia nuk shkruhej – kërcehej.
Koreografi Sead Vuniqi në një prononcim për KultPlus ka treguar se është ndarë i kënaqur me suksesin e baletit “Deadline”.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për suksesin e mbrëmshëm të baletit Deadline. Ishte një natë magjike, ku BKK arriti të sjellë një performancë në nivelin më të lartë të mundshëm. Publiku u përfshi dhe u magjeps nga dinamika, intensiteti dhe estetika e kësaj shfaqjeje, duke përjetuar çdo moment me emocion dhe kuriozitet. Për mua, ka qenë një privilegj i madh të kem mundësinë të krijoj këtë shfaqje, dhe për këtë falënderoj drejtorin e BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili më dha hapësirën dhe besimin për ta realizuar këtë projekt. Gjithashtu, mirënjohja ime më e thellë shkon për të gjithë balerinët, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm e sollën këtë vepër në jetë”, thotë Vuniqi.
Ai tutje ka falënderuar ekipin krijues: asistentja Diletta Antoni, për mbështetjen dhe kontributin e saj të çmuar, kompozitorin Phil Von, i cili me muzikën e tij i dha shfaqjes një dimension të thellë emocional, dramaturgen Eva Wagner, për qasjen e saj artistike dhe ndihmën në ndërtimin e strukturës dramaturgjike, kostumografen Elva Bela, për krijimin e një identiteti vizual të fuqishëm përmes kostumeve, skenografin Berat Hansi, për ndërtimin e një hapësire skenike që i dha jetë atmosferës së shfaqjes.
Po ashtu, balerini Fatmir Smani për KultPlus ka thënë se shfaqja është realizuar për një kohë rreth 4 javë.
“Shfaqja Deadline është projekti i fundit i përgatitur nga kolegu Sead Vuniqi. Kjo shfaqje është realizuar për një kohë rreth 4 javë. Bashkëpunimi me Seadin ka qenë tejet i mirë, duke e pasur parasysh që edhe në muajt e kaluar kemi pas mundësinë të bashkëpunojmë në projektet Terminal dhe Hope. Seadi si koreograf është mjaft kërkues dhe kjo e ka bërë që shfaqja të përthekohet në maksimum ku dhe rezultati u pa në premierë pasi që publiku e priti mjaft mirë. Poashtu asistentja Dileta e ka bërë një punë të mrekullueshme. Mesazhi i shfaqjes ka qenë i fokusuar tek krahasimi i gazetarisë në kohërat e vjetra dhe në të tashmen ku lajmi dhe oraret për të depërtuar ka qenë mjaft i vështirë dhe ka marr shumë kohë ndërsa sot gjithçka bëhet virale shumë shpejt”, thotë Smani.
Po ashtu, Isa Gjocaj, balerini i ri i cili tashmë është pjesë e përhershme e institucionit të BKK, dhe i cili pati një paraqitje dukshëm të bukur, për KultPlus ka thënë se periudha gjashtë javore e provave ka qenë mjaft intensive dhe po aq sfiduese.
“Si zakonisht, kemi pas problemet me te cilat ballafaqohemi për një kohë të gjatë tani siç janë mungesa e sallës së ushtrimeve dhe një vendi adekuat si teatri për shfaqjen e projekteve tona, si rrjedhim i të cilave hasim në probleme tjera si orari dhe koha e shkurtër për përgatitjen e shfaqjeve. Por e gjithë trupa bashkë me koreografin, asistenten e tij dhe pjesën tjetër të ekipit teknik kemi punuar me pasion dhe përkushtim maksimal për një rezultat sa më të mirë. Puna me Seadin është gjithmonë shumë e veçantë dhe produktive. Seadi është një krijues dhe koreograf shumë i talentuar, dhe besoj se kjo ka dal në pah përmes kësaj shfaqjeje”, thotë Gjocaj.
Sipas tij, “Deadline” ka sjellë një koncept unik në dallim me shfaqjet e tjera, duke e vendosur historinë në atmosferën e një redaksie të gazetës së viteve 1920-30.
“Thelbi ka qenë tek pasqyrimi i përkushtimit dhe pasionit të atyre që punojnë në industrinë e shtypit, duke sjellë në skenë sfidat, rivalitetet, intrigat dhe bashkëpunimin mes gazetareve, fotoreportereve, dhe stafit mbështetës, duke na rikujtuar rëndësinë e gazetarisë në shoqëri. Përmes lëvizjeve tona ritmike dhe lidhjes së personazheve, shpresojmë ta përçojmë idenë dhe konceptin tek publiku”, ka thënë ai.
Sonte, po ashtu është luajtur repriza e parë e “Deadline” në Sallën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com