6 Mars, 2022 - 8:15 pm
Era Berisha
Me një stil tejet të modernizuar dhe ndryshe nga e zakonshmja, shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e cila vjen si premiera e parë për vitin 2022 nga Baleti Kombëtar i Kosovës, hapjen do ta ketë në një mënyrë krejtësisht unike, me ç’rast publiku do të përjetojë një risi të pa ndjerë më parë nga trupa e baletit që do të frymojë për dashurinë nën një peizazh që i ka munguar botës deri më tani, shkruan KultPlus.
Ajo se çfarë dëgjohet qysh nga kati i sipërm së hapësirës për prova të trupës së baletit, është një muzikë sa e lehtë aq edhe intensive. Trupa e baletit në gjithë gjendjen kaotike dhe të bukur, nëpërmjet hapave, lëvizjeve trupore e kërcimeve, shpalosi dramë, butësi, humor dhe dhimbjen e zemrës që përkon me historinë legjendare të shfaqjes së bazuar në dramën e William Shakespeare.
E mbushur me luftime dramatike me shpata, hapa precize, kërcime që të lënë pa frymë e deri tek emocioni që shprehej nëpërmjet fytyrave të mbuluara me djersë të trupës së baletit, nuk ka dyshim se shfaqja do të sjell lojën mjeshtërore të emocioneve të fuqishme duke sjell në jetë jo vetëm dashurinë e dy protagonistëve por edhe mallin e humbjen së kësaj tragjedie epike.
Teksa lëvizjet dhe hapat magjepsëse të tyre lundrojnë në atmosferë, vëmendja e tyre bie direkt tek zëri i koreografit Konstantin Uralsky, i cili së bashku me asistentin e tij udhëzojnë trupën nën komandën e tyre besnike. Si një dukuri e shenjtë, vallëzimi i tyre tashmë kalonte përtej lodhjes trupore, duke u shndërruar në një kryevepër që dukshëm do të lë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 24 mars.
“Romeo dhe Zhulieta”, konsiderohet se do të luhet në një mënyrë tërësisht të re, në diçka që nuk është parë ende. Duke u dalluar nga stili tradicional i shfaqjes, koreografi Uralsky tenton që këndvështrimi i tij të jehojë jo vetëm mbi dashurinë e dy të rinjve, por të arrijë edhe deri tek filozofitë e tjera që ndërthuren në atë shfaqje. Andaj dhe kjo cilësohet të jetë diçka që do t’i përket vetëm Teatrit Kombëtar të Kosovës ngaqë elementet e reja po vinë për herë të parë nga vetë koreografi i cili këto elemente nuk i ka sjell asnjëherë më parë në jetën e tij.
Duke kujtuar bashkëpunimin mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe koreografit Uralsky në vitin 2009, ky bashkëpunim i radhës që po vjen së shpejti, duket se do të emocionojë publikun si asnjëherë më parë. Ndonëse, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë, me një periudhë të shkurtër kohore, Baleti Kombëtar i Kosovës, beson se do të arrijë që shfaqja të gjejë fundin me një perfeksion të jashtëzakonshëm.
Për të na folur për shfaqjen, atmosferën dhe provat para një premiere që është kaq afër, për KultPlus tregon koreografi Konstantin Uralsky.
“’Romeo dhe Zhulieta’ është një kryevepër e famshme dhe e përjetshme e William Shakespeare e cila ndoshta është në skenë që nga viti 1935. Ka opera, filma, ka gjithçka, kështu që njerëzit janë shumë të njohur me historinë. Është një histori për dashurinë, jetën, vdekjen dhe konkretisht në lidhje me këtë shfaqje, ajo që po bëjmë nuk është aq e lehtë sepse nuk po përpiqemi ta bëjmë në mënyrë tradicionale, por të sjellim diçka të re. Diçka që do t’i përkasë vetëm këtij grupi njerëzish, vetëm këtij teatri. Pra, këndvështrimi im për këtë është më shumë se vetëm për dashurinë e dy të rinjve që takohen me njëri-tjetrin në një situatë shumë të diskutueshme”, thotë Uralsky.
Sipas tij, nëse e shikojmë në aspektin filozofik, në mënyrën se si paraqitet, është një balet bashkëkohor, jo domosdoshmërisht në një teknikë kërcimi sepse i përket baletit klasik bashkëkohor. Pra, ai po sjell elemente të një teatri bashkëkohor në të dhe që do të ketë edhe shumë surpriza.
Për të, ndonjëherë njerëzit nuk mendojnë se sa lehtë mund të humbasin jetën dhe ndonjëherë performanca është jeta e tyre dhe kjo është arsyeja pse ai po përpiqet të vendosë elemente që nuk i ka bërë kurrë më parë në jetën e tij.
“Provat janë shumë emocionuese. Unë kam qenë këtu në vitin 2009 dhe shumë nga kërcimtarët janë ende të njëjtët kërcimtarë. Është shumë e mrekullueshme të punosh me një kompani të re e cila është kaq e etur për të marrë nga ju, për të mësuar nga ju dhe për të ecur përpara. Ata janë shumë të interesuar për shfaqjen dhe kjo është arsyeja pse unë po e shijoj kaq shumë”, përfundon Uralsky.
Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi i dytë me koreografin Uralsky, na tregon edhe balerini Kreshnik Musolli.
“Bashkëpunimin e parë e kemi pasur në vitin 2009 ku mbaj mend se ka qenë një shfaqje fantastike e cila është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur një kontakt shumë të afërt me koreografin, i cili për ne është njeri shumë i rëndësishëm. E kemi parasysh se ardhja e një shtetasi amerikano-rus në atë kohë nuk ka qenë diçka e lehtë dhe për të gjithë ne ka qenë një surprizë se si kemi arritur bashkëpunimin me të. Gjithashtu, prej anës së tij, ai nuk pati ditur se çfarë të pres nga ne por mund të them se është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Për këtë arsye, kur e ftova vitin e kaluar për të nisur përgatitjet për këtë shfaqje, ka pranuar ftesën me një entuziazëm të madh”, thotë Musolli.
Sipas tij, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë dhe deri më tani materiali koreografik konsiderohet të jetë mjaft shumë i mësuar.
“Është një kohë shumë e shkurtër mirëpo jemi duke punuar intensivisht që të sjellim një premierë të suksesshme si çdo herë dhe të sjellim një këndvështrim tjetër ndaj “Romeo dhe Zhulieta”. Kjo shfaqje kësaj here është modernizuar me shumë gjëra dhe të cilat vetë ne po i mësojmë ditë pas dite për arsye se nuk na është treguar që nga fillimi saktësisht se çka do të bëjë ai. Po e shohim si një proces mjaft interesant sepse po punojmë me një koreograf me renome botërore. Është një nder që atë ta kemi në mesin tonë dhe shpresojmë që ta kemi edhe në të ardhmen”, thotë ai.
Duke pasur parasysh se Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar tri premiera në një situatë pandemike dhe tani po e sjell të katërtën me radhë, Musolli tutje tregon se kjo shfaqje dhe pse e realizuar në këto kushte me të cilat janë mësuar tashmë, sjell një hapje ku ngjarjet futen dalëngadalë dhe tejet interesante përbrenda shfaqjes.
Se si po zhvillohen provat për një hapje interesante dhe për bartjen e një roli kryesor siç është ‘Romeo’, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.
“Kjo është java e parë që kemi nisur me prova. Për momentin gjithçka po shkon mirë dhe normal që tash problemi është se koha është shumë e limituar dhe janë diku afër njëzet ditë për të krijuar një lloj vepre siç është “Romeo dhe Zhulieta”. Jemi duke e stërzgjatur edhe provat dhe orarin në mënyrë që të arrijmë të përfundojmë procesin e punës dhe të realizojmë shfaqjen në kohë”, thotë Vuniqi.
Sipas tij, roli i Romeo-s është një privilegj për t’u luajtur dhe është një ndjenjë e mirë për shkak se është një vepër e Shekspirit, vepër kjo e veçantë që atij po i dhuron shumë ndjenja të ndryshme, duke inkuadruar dhe muzikën e çdo gjë tjetër.
“Zakonisht ne kemi shumë shfaqje të ndryshme të baletit por këto klasiket e bëjnë më të veçantë për arsye se baleti klasik është një shkollë ndryshe e një balet krejt ndryshe prej arteve tjera për arsye të sfidës që posedon. Njëkohësisht, jemi tërë kohën në tension për të bërë më të mirën sepse lëvizjet e baletit klasik janë shumë të vështira dhe gjithmonë kjo e bënë pak më të veçantë, duke nisur edhe nga ndjeshmëria dhe gjithçka rreth saj. Pra, thjesht të sjell emocione ndryshe”, përfundon Vuniqi.
Ndërsa, për të na treguar më shumë rreth rolit të saj si ‘Zhulieta’, për KultPlus foli balerina Leonora Rexhepi.
“Për të bartur rolin kryesor natyrisht është një ndjenjë shumë e veçantë dhe po ndihem shumë mirë. Pa diskutim se është një privilegj i madh dhe do mundohem ta jap maksimumin tim. Të gjitha rolet që kanë të bëjnë me dashurinë e ndjenjat, janë më të ndjeshme dhe mendoj që aty e kam pikën më të dobët dhe se mund ta jap më të mirën time”, thotë ajo.
Sipas saj, është diçka krejt ndryshe dhe mendon se do t’ia dali shumë mirë në fund, dhe pse shfaqjen të tërën në tërësi nuk e kanë parë as trupa e baletit.
Premiera e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” vjen me datë 24 mars. Ndërkaq, repriza e parë vjen me datë 25 mars. / KultPlus.com