24 Dhjetor, 2020 - 1:35 pm
Xhemile Hysenaj
Fotografitë: Valbon Tishukaj
Fytyrat e qeshura e plotë jetë të fëmijëve të studios së baletit ‘Behia’s Dance’, mbrëmë përjetësuan në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës përrallën e famshme të Bukuroshes së fjetur, shkruan KultPlus.
Skena e Teatrit Kombëtar mbrëmë ishte e mbushur me entuziazëm e hare, fëmijët që lehtësisht u faleshin me shpirt tingujve të muzikës, sollën për audiencën përrallen e Bukuroshes së fjetur.
Një përrallë kjo klasike, që flet për një princeshë e cila është e mallkuar të flejë për njëqind vjet nga një zanë dashakeqe, mirëpo, ky mallkim do të prishej vetëm kur ajo të zgjohej nga një princ i bukur. Kur zanat e mira e dëgjojnë këtë, ajo e dinte që princesha do të frikësohej nëse kur të zgjohet gjendet e vetme, kështu që zana përdorë shkopin e saj për të vendosur çdo person të gjallë dhe kafshë në pallat për të fjetur derisa princesha të zgjohet.
Shfaqja e baletit ‘Bukuroshja e fjetur’, që para publikut erdhi nën koreografinë e Behie Murtezit dhe Driton Saqipit, për pothuajse dy orë, rrëmbeu vëmendjen e gjithë publikut, me këmbët e fëmijëve që preknin në tokë e që parë nga fytyrat e tyre dukeshin se kishin kapur qiellin me dorë.
Zana, Bukuroshe e Princa, ishin personazhët e kësaj përralle që mbrëmë erdhi përmes artit më të bukur teatral, atij të baletit.
Erza Limani, e cila në këtë shfaqje ishte në rolin kryesor, atë të Bukuroshes, tregoi për KultPlus se edhe pse në fillim kishte pasur shumë emocione për performancën e saj, ishte munduar që në skenë të bëjë më të mirën e saj.
‘Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë gjatë performancës’, potencoi ajo tutje për KultPlus.
‘Bukuroshja e fjetur’ ishte e planifikuar të fillonte me provat qysh në Mars të këtij viti, mirëpo si shumë aktivitete të tjera kulturore, edhe kjo u anulua nga pamundësia e mbajtjes së provave, për të filluar pastaj në dhjetor.
‘Kemi zgjedhur këtë shfaqje pasi ka qenë një vit i vështirë si për fëmijë poashtu edhe për të rritur dhe kemi dashur të japim një mesazh pozitiv, të lezetshëm’, deklaroi koreografja Murtezi për KultPlus.
Murtezi, ndër të tjera, tregoi për KultPlus se edhe pse të punosh me fëmijë është tejet e vështirë, ajo ishte ndarë shumë e kënaqur me shfaqjen si tërësi.
‘Besoj që kjo shfaqje ka dhënë një energji të mirë, të paktën për këtë vit’, është shprehur Murtezi.
Me duartrokitje, të qeshura, përqafime e gëzim të madh, përfundoi ‘Bukuroshja e fjetur’, një shfaqje që mesazhin që përçoi e pati kuptimplotë si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit: E mira dhe dashuria triumfojnë gjithmonë ndaj të keqes. / KultPlus.com