17 Shtator, 2020 - 2:55 pm
Prodekanja e Fakultetit të Komunikimit Masiv, Burbuqe Berisha, nominohet për Çmimin Ndërkombëtar “The LPTW Gilder/Coigney International Theatre Award”.
Artistja dhe regjisorja e njohur kosovare, Burbuqe Berisha, prodekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, është nominuar për Çmimin Ndërkombëtar për Teatër “The LPTW Gilder/Coigney International Theatre Award”.
Ky çmim i rëndësishëm ndërkombëtar, është themeluar në vitin 2011 si Liga e Grave Profesioniste të Teatrit (The League of Professional Theatre Women #LPTW), në nderim të dy ikonave ndërkombëtare të teatrit, Rosamond Gilder dhe Martha Coigney, ndërsa ka për qëllim të shpërblejë profesionistet e fushës për arritje të jashtëzakonshme, me qëllimin për të ngritur zërin e tyre përtej kufijve anembanë globit.
Laureate të këtij çmimi, që jepet çdo të tretin vit, deri tani kanë qenë artiste nga Ruanda, Kolumbia dhe Holanda.Profesoresha Burbuqe Berisha, është nominuar në mesin e 27 grave të tjera nga 18 shtete të botës. Ajo është autore e 12 filmave të shkurtër artistikë, 5 filmave dokumentarë, 8 shfaqjeve teatrore, ndërsa me filmin e metrazhit të gjatë “Një tregim Prishtine”, ka fituar Çmimin për Kinematografi për vitin 2018.Po ashtu, Berisha ka qenë fituese e shumë shpërblimeve ndërkombëtare për film të shkurtër, dokumentar dhe shfaqje teatrore.
Burbuqe Berisha ka qenë kryetare e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës; drejtoreshë e këtij institucioni; ka menaxhuar Kinemanë ABC dhe po ashtu ka qenë anëtare e Bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Që nga viti 2012 është e angazhuar në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB në pozitën e mësimdhënëses dhe prodekanes, ndërsa është edhe drejtoreshë artistike e festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival”, që organizohet nga Kolegji AAB./ KultPlus.com