“Butrinti Summer Festival” ringjall skenën antike me shfaqje kulturore dhe artistike

9 Korrik, 2018 - 5:50 pm

Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nisi mbrëmjen e 8 korrikut e do të vazhdojë deri më 14 korrik duke sjellë disa shfaqje në skenën antike me aktorët shqiptarë dhe të huaj, përcjellë KultPlus.

Këtë herë vijnë trupa nga Maqedonia, Ukraina, Greqia dhe Shqipëria. Për publikun do të shfaqen vepra të autorëve të njohur botërorë dhe nuk mungojnë veprat e antikiteti grek.

Festivali nisi me komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit që e solli në skenë Teatri i Metropolit, vepër me regji nga amerikani Justin Anderson. Më datë 9 korrik në skenë do të vijë shfaqja performancë “Personazhet e dramës së antikitetit grek” nga regjisorët Dinos Koubatis, Pandelis Garios.

Vijon në festival dhe shfaqja “Njeriu dhe zjarri” bazuar mbi mitin e Prometeut me regji nga Dejan Projkovski nga Maqedonia, ndërsa më 12 korrik do të vijojë shfaqja “Monger” nga artistët e TOB me koreografinë e izraelitit, Barak Marshall.

Shfaqja e fundit në festival do të jetë “Kopshti i qershive” nga Anton Chekhov, që e sjell në skenë trupa e teatrit të Ukrainës me regji nga Yaroslav Fedoryshyn. Por festivali do të vijojë dhe me një natë tjetër mbrëmjen e datës 14 korrik.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik./ ata

Të ngjajshme