4 Prill, 2018 - 7:54 pm
Alberina Haxhijaj
Koreografja Natalia Osipova pas realizimit të shfaqjes komedi “Vasha e Braktisur” është kthyer në Prishtinë për të sjellë shfaqjen “Carmen” së bashku me Trupën e Baletit të Kosovës , shkruan KultPlus.
Shfaqja ‘Carmen’, e kompozuar nga Georges Bizet, muzikën e të cilit do ta përdorë edhe Trupa e Baletit për premierën në Prishtinë, sjellë historinë e një ushtari në Spanjë i cili joshet nga ciganja Carmen. Në Prishtinë kjo histori dashurie vjen e rrethuar edhe nga dëshira për të qenë i lirë, një dëshirë kjo të cilën koreografja e ka hasur të kosovarët gjatë qëndrimit këtu.
Natalia Osipova tregoi se është shumë e lumtur që është rikthyer për herë të dytë në Teatrin Kombëtar të Kosovës si koreografe. Ajo ka treguar se gjatë kohës sa kishte qëndruar në Kosovë herën e parë kishte menduar se cila do të ishte mënyra më e mirë që të sjellte një shfaqje që do të përfaqësonte e përthekonte ndjenjat e saj për Kosovën dhe ndjenjat që i ka vënë re tek populli në Kosovë. Në këtë mënyrë koreografia e kësaj shfaqje është bazuar pikërisht në këto elemente.
“Tema e shfaqjes nuk është vetëm për dashurinë dhe as për Carmen, pasi në këtë shfaqje kam vendosur shumë ndjenja të lirisë të cilat përkojnë me situatën e popullit tuaj dhe shfaqen në jetën e secilit nga ne. Ne nuk jemi të mbyllur në kafaze edhe pse dekori i kësaj shfaqje janë kafazet të cilat prezantojnë burgun e jetës që po jetoni çdo ditë këtu. Sa më shumë që po e njoh popullin e Kosovës aq më shumë po ua jap gjithë dashurinë që kam, që ju të jeni më të lirë edhe pse jeni të pavarur”, është shprehu ajo duke theksuar kështu që ‘Carmen’ nuk shfaqë vetëm dashurinë por edhe lirinë, lëngimin për liri.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës – Ahmet Brahimaj, u shpreh krenar për punën e trupës gjersa theksoi problemin me kanalizim që ka pasur teatri e që ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e shfaqjes.
“Kjo shfaqje ishte planifikuar më parë me koreografen . Ne po vijmë përsëri me ‘Carmen’ por kjo është më ndryshe pasi koreografja e ka kthyer atë në një shfaqje më moderne. I falenderoj të gjithë anëtarët e ekipit të kësaj shfaqjeje të cilët kanë punuar pa pushim. Ne kemi probleme të llojllojshme por këtë herë kemi pasur probleme me kanalizim, pastaj as ngrohja qendrore nuk po funksionon. Por ne nuk kemi pasur kohë për tu ndalë dhe as për të pritur për hapje të tenderëve. Ky ka qenë problem i komunës pasi që kanalizimi është bllokuar përballë teatrit”, u shpreh Brahimaj duke falënderuar ekipin pikërisht për shkak se kanë arritur që të realizojnë koreografinë e shfaqjes përkundër këtyre peripecive.
Balerina Teuta Krasniqi e cila do të luajë rolin ‘Carmen’ tregon se kjo shfaqje është teknikisht shumë e vështirë dhe është e veçantë pasi që pasqyron kërkesën për liri.
“Shfaqja e parë e realizuar me këtë koreografe ka pasur një stil krejt tjetër kurse kjo kërkon shumë disiplinë. Pastaj koreografja ka bërë diçka më të veçantë duke theksuar lirinë e popullit tonë por edhe të secilit person pasi që të gjithë kanë nevojë që të jenë të lirë. Gjithë kjo është bërë në një mënyrë më moderne dhe shfaqja është shumë dinamike”, tha ajo.
Kjo shfaqje ka qenë një përvojë mjaft e veçantë edhe për balerinin Kreshnik Musolli dhe për balerinin Sinan Kajtazi. Kajtazi i cili do të paraqitet në rolin e Don Jose theksoi se puna së bashku me koreografen e cila është me prejardhje nga Rusia dhe përfaqësuese e kësaj kulture edhe në Francë, ndikon në promovimin e punës së Trupës së Baletit edhe jashtë vendit.
Premiera e shfaqjes ‘Carmen’ do të jetë nesër mbrëma, me 5 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com