30 Prill, 2022 - 12:45 pm
Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.
29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.
Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.
“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.
Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.
“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.
Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.
“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.
Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.
“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.
Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.
Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com