19 Maj, 2023 - 10:15 pm
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet këto ditë komedia “Certifikata e martesës”.
I njohur për fuqinë e satirës së tij Ephraim Kishon vjen para artdashësve me këtë vepër të përshtatur krejtësisht për realitetin shqiptar. Tema që trazon ende shoqërinë dhe familjen shqiptare vjen përmes situatave plot humor të personazheve që shpesh i ndeshim në jetën e përditshme.
“Një eksperiencë shumë e bukur. Udhëtoja nëpër rreshtat e Kishonit për të sjellë një variant tërësisht shqiptar dhe prekja e parë ka qenë përshtatja e kësaj fabule, që qëndron prej 40 vitesh në repertor, për ta sjellë atë në një këndvështrim që i flet realitetit shqiptar. Ajo që ta bën të lehtë këtë prekje është tema universale.”-shprehet regjisorja Driada Dervishi.
Skenografia minimaliste dhe etydet elegante janë përzgjedhur me kujdes nga regjisorja Driada Dervishi për të tërhequr vëmendjen mbi një debat të ndezur shoqëror për bashkëjetesën dhe triumfin e dashurisë, familjes.
“Një copë letër nuk mund ta mbajë gjallë një lidhje. Sot, kemi shembuj të çifteve që janë martuar me ceremonira madhështore dhe janë ndarë shumë shpejt, sicc ka dhe çifte që vazhdojnë për vite të tëra pa pasur nevojë për një certifikatë.”-shprehet aktori Zenelaj.
Komedia vjen në Durrës pasi korri sukses në skenat e Fierit dhe Tiranës, si dhe dhe në Festivalin teatror “Apollon” ku dy aktoret e trupës, Olta Daku dhe Mimoza Marjanaku u nderuan me ccmime të para.
“Na kanë pritur shumë mirë, ne vijmë dhe nga festivali i aktrimit “Apollon” ku unë u vlerësova si aktorja më e mirë joprotagoniste dhe Olta Daku si aktorja më e mirë protagonist. Është një rol që e kam dashuruar që në momentin e parë që e kam lexuar. Rol shumë interesant dhe gjëja më e bukur që më kanë thënë pasi kanë parë shfaqjen është që të gjithë ne e kemi një komshie si ty.”-shprehet aktorja Mimoza Marjanaku.
Regjisorja dhe aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Vlera Pylla, Xhuliano Brisku, Mimoza Marjanaku dhe Amri Hasanlliu u duartrokitën nga publiku durrsak.
“Shumë e bukur. U kënaqëm. Shumë emocione. Olta është aktore shumë e mirë. Edhe Genti, po Ada, regjisorja më e mirë.”
“Shfaqja ishte fantastike. Shumë e aktualizuar edhe pse autori është jo shqiptar dhe I një gjenerate tjetër, por e aktualizuar dhe e ardhur bukur në problematikën shqiptare.”/TopChannel/ KultPlus.com