25 Nëntor, 2023 - 1:00 pm
Aktorët Romir Zalla e Suela Bako të cilët janë çift në jetën reale, së shpejti do t’i prezantohen publikut me veprën e një tjetër çifti të famshëm, me komedinë “Çifti i hapur”, shkruar nga Dario Fo e Franca Rame.
Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Gostivarit, Teatri “Aleksander Moisiu” dhe Teatri i Gostivarit sjellin këtë vepër italiane e vënë në skenat e të gjithë botës.
Përveç aktorëve kryesorë, në komedi interpretojnë Ismail Omer, Elly Klincarevska Mladenovska dhe Zurijet Sulejmani. Regjisori i veprës është Sulejman Rushiti dhe premiera do të jetë mbrëmjen e 28 nëntorit, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa në datat 7 dhe 8 dhjetor, do të shfaqet në Teatrin “Moisiu” të Durrësit.
Dramaturgu i njohur italian, Dario Fo, pati rrëfyer se vepra ishte tërësisht e bashkëshortes së tij, Franca Rame, por ai pati ndërhyrë vetëm në finalen e saj. “Çifti i hapur” (Coppia aperta, quasi spalancata) është vepra më e vënë në skenë, shkruar nga Fo dhe Rame, me pothuaj 700 produksione nëpër botë.
Megjithëse i shkruar në 1982, skenari mbetet aktual dhe i bën spektatorët, sidomos burrat, të reflektojnë dhe të pranojnë faktin se gjejnë vetveten tek personazhi në skenë. / KultPlus.com