6 Nëntor, 2018 - 1:00 pm
Shfaqja “Copë copë” me regji të Zana Krasniqit e tekst të Blerta Zeqirit, do të riktheht përseri në qytetin e Shkodres ku është dhënë premierë në vitin 2015, shkruan KultPlus.
“Copë Copë” është prezantuar tri herë në Prishtinë, një herë në Ferizaj, në Gostivar në festivalin teatral “Othelo”, në Beograd në festival “Mirëdita, Doberdan”, në Kukaj në EtnoFest ku është shpërblyer me tri çmime, si dhe me datë 26 nëntor, 2018 do prezantohet në Zagreb për të shënuar ditët e kulturës shqiptare atje.
“Copë Copë” bazohet në ngjarje të vërteta të grave në Kosovë; një grua, mbijetuese e dhunës në familje është edhe performuese në skenë së bashku me aktoret profesionale. Skena të dhunës në familje, martesës me dhunë, abortit me probleme shëndetësore, përdhunimit të një çifti të komunitetit LGBTi dhe stigmatizimit lidhur me çështjet e adoptimit paraqesin format e ndryshme të dhunës ndaj grave në shoqërinë kosovare. Në të njëjtën hapësirë dhe kohë, aktoret dhe mbijetuesja gjejnë forcën dhe solidaritetin për t’u përballë me realitetin dhe për të vazhduar përpara.
Performuese janë aktoret e shquara: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi and Bashkime Sulejmani.
Performanca është produksion i Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis, ndërsa është përkrahur nga CFD.
Shfaqja do të fillojë këtë të premte nga ora 18:00 në Teatrin “Migjeni” në Shkodër./ KultPlus.com