29 Nëntor, 2018 - 4:00 pm
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 26 nëntor, 2018 në Zagreb, Kroaci ka prezantuar shfaqjen teatrale “Copë Copë”, shkruan KultPlus.
“Copë Copë” është krijuar në vitin 2015 nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi dhe dramaturgia Blerta Zeqiraj që portretizon se sa thellë paradigma patriarkale është e rrënjosur në shoqërinë kosovare, si dhe procesimin e kujtimeve e transformimin e dhimbjes.
Viti 2018 shënon vitin e katërt të prezantimeve të kësaj shfaqje e që atëherë është prezantuar më shumë së 15 herë në Kosovë dhe regjion. Turneu regjional përfshin festivalin “Othello” në Gostivar – Maqedoni, festivali “Mirëdita, Dober Dan” në Beograd – Serbi, javën e kulturës shqiptare në Zagreb – Kroaci, si dhe me datë 11 dhjetor, 2018 do të prezantohet në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Pjesë e performancës janë aktoret: Melihate Qena, Anisa Ismajli, Donikë Ahmeti, Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj, Albina Kelmendi dhe Bashkime Sulejmani.
Në kuadër të përfaqësimit të Artpolis në Zagreb me datë 25 nëntor, 2018 është organizuar ligjëratë “Suksesi i gruas shqiptare” me mysafire Melihate Qena dhe Zana Hoxha Krasniqi nga Shoqata e Grave Shqiptare të Zagrebit “Drita”, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, me mbështetje nga deputetja shqiptare në Kroaci Ermina Lekaj Prljaskaj dhe Unioni Shqiptar.
Artpolis dhe ekipi i shfaqjes teatrale “Copë Copë” me datë 26 nëntor po ashtu janë takuar edhe me zyrën e ambasadorit kosovar në Kroaci Gëzim Kasapolli ku janë diskutuar sfidat dhe arritjet e kulturës dhe artit shqiptar në Kosovë e Kroaci, si dhe bashkëpunimin në mes tyre në të ardhmen./ KultPlus.com