21 Nëntor, 2018 - 5:37 pm
Gili Hoxhaj
Veprën “Destur” e Musa Ramadanit me veprën “Dyzet rregullat e dashurisë” të Elif Shafak i takon një histori e njëjtë. Regjisorja Zana Hoxha- Krasniqi ka përplasur filozofinë e të dyjave veprave në dramaturgjinë e shfaqjes “Destur- Blasfemi e ëmbël”, që do të vijë në mes të dhjetorit në Prishtinë.
Veprat si të tilla gjurmojnë për dashurinë e inspirimin.
Aty tempulli kryesor është zemra, flitet veç me gjuhën e dashurisë e mesazhi si universal mbetet i përjetshëm. Historia ka në fokus dy personazhe që përmes ndikimit tek njëri-tjetri kanë lënë gjurmë në jetën e shumëkujt që i ka rrethuar, e këtë ndikim e kanë shtrirë fuqishëm tek secili që e ka lexuar historinë e tyre. Shamsi i Tabrizit është në kërkim të Rumiut dhe tregon rolin e dervishit në shndërrimin e klerikut të famshëm, por aspak të lumtur, në një poet pasionant dhe mbrojtës të dashurisë.
Përmes këtij komunikimi e ndërveprimi me anëtarët e tjerë të familjes e rrethit shoqëror, teksti flet për një filozofi të lashtë mbështetur në bashkëjetesën mes njerëzve e kulturave si dhe për praninë e dashurisë në brendësinë e secilit.
Rumi, deri atëherë një predikues i respektuar që ka pasur gjithçka përveç dashurisë, me takimin e Shamsit bën që ai të rigjejë vetën në botën që e përmbushë. Ani pse ai e humb kredibilitetin e pozitën e tij, ajo çfarë gjen në brendësi të shpirtit bën që të braktisë gjithçka tjetër.
Regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha- Krasniqi, tregoi se në gërshetimin e këtyre dy veprave ka ndjekur strukturën e veprës “Destur” të Musa Ramadanit kurse në përmbajtje dhe në personazhe kontributi kryesor vjen nga vepra “Dyzet rregullat e dashurisë” të autores turke Elif Shafak. Ajo thotë se këtë e ka bërë pikërisht për faktin se këto personazhe komunikojnë bindshëm edhe me audiencën e sotme.
Në një intervistë për KultPlus, Zana Hoxha- Krasniqi tregon se qëllimi i inskenimit të kësaj historie që lidhet dhe me sufizmin, është që ta kthejë magjiken në teatër duke bartur mesazhet për paqen e dashurinë e duke larguar paragjykimet për sufizmin. Duke qenë se ajo vetë vjen nga një familje sufiste, ka vendosur që të bëjë dramaturgjinë e shfaqjes, pasi duke e vendosur këtë temë më tepër në rrafsh personal ajo e përjeton me thellë atë. Lidhur me këtë, Hoxha- Krasniqi thotë se shfaqjet më të mëdha kanë dalë kur regjisorët i kanë pasur duart e lira që të ndërhyjnë në tekst por duke mos abuzuar e duke mos shkelur asnjëherë mbi tekstin.
“Duke qenë se nëna e nënës sime vjen nga një familje sufiste, e kam kuptuar si një filozofi që ta ndriçon mendjen dhe zemrën. E kam konsideruar se është shumë e rëndësishme ta bart një ndjenjë të tillë në kohën të cilën jetojmë. Kur e morra të punoj në veprën “Destur”, i thashë Agon Myftarit se me shumë dëshirë do të punoja me kushtin që ta bëj një kombinim të dy veprave pasi që e plotësojnë njëra-tjetrën. E pashë që është e pamundur të gjesh një dramaturg pasi që unë e përjetojsha si diçka përtej fesë dhe kam dashur që ky mesazh të arrijë i tillë tek secili”, tregoi Zana Hoxha- Krasniqi.
Zana Hoxha Krasniqi synon të sjellë në TKK një botë ku sundohet me rregullat e dashurisë
Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë Çun Lajçi, Shkelzen Veseli, Anisa Ismajli, May-Linda Kosumovic, Semira Latifi, Armend Smajli, Edlir Gashi, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Selman Jusufi, Flamur Ahmeti, Mikel Markaj dhe Armend Balazhi.
Aktorët të cilët po punojnë me Zana Hoxha-Krasniqin nuk kanë pasur mundësi që të njoftohen tërësisht me veprën nga dita e parë. Çdo ditë të punës, ajo u ka ndarë vetëm nga një copë të tekstit duke krijuar një proces ndryshe të punës.
“Procesi ka qenë interesant pasi që çdo ditë janë ushqyer me nga një copë të tekstit, e cila mandej ka sjellë diçka të re. I falënderoj për besimin që ma kanë dhënë sepse nuk është gjithmonë e lehtë t’i besosh regjisores pa e ditur në tërësi se çfarë do të sjellë”, u shpreh Zana Hoxha- Krasniqi.
Ajo thotë se për këtë shfaqje e ka pasur tejet të nevojshme të bashkëpunojë me aktorë të cilët përmes roleve duan të inspirojnë publikun të bëhen njerëz më të mirë.
“Në këtë proces për mua ka qenë e rëndësishme të punoj me aktorë që i besojnë kësaj qasje, për të krijuar diçka të bukur bashkë, pa paragjykime dhe pa frikë por me u zhytë bashkë në këtë proces kështu që jam e lumtur që për dy javë kemi arritur këtë proces”, tha mes të tjerash regjisorja.
“Vallja e dervishëve fluturues” vjen me një shfaqje kontemporane me koreografi të Robert Nuhës.
Po ashtu, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vijnë edhe rituale të tjera të sufizmit. Për t’i përjetuar në skenë e për t’i transmetuar të tilla, ekipi i shfaqjes kanë qenë të pranishëm në një “ziqër” te Teqja e Sheh Eminit në Gjakovë.
“Në shfaqje kemi vallëzimin e dervishëve fluturues dhe shumë “ziqrave” të cilat janë shumë aktual dhe janë pjesë e sufizmit pasi fjala “ziqër” do të thotë përmendje dhe bëhet me qëllim që të përmendet Zoti, për t’i inspiruar njerëzit”, pohoi Zana Hoxha- Krasniqi.
Zana Hoxha-Krasniqi përmes kësaj shfaqje synon që kur të hapen e mbyllen perdet, historia të mbetet në teatër.
Tash për tash, e shkëputur nga angazhimet e tjera, ajo këtë shfaqje e cilëson si më të rëndësishmen në karrierën e saj prej regjisoreje, ndërsa thotë se ndihet e lumtur që ka arritur t’ia dhurojë gjithë kohën e nevojshme për të arritur qëllimin që synon.
“Për mua shfaqja tani është prioritet, kjo nuk është një shfaqje më tepër, një proces paralel, një honorar por është një proces të cilin jam duke e shijuar shumë”, tha krejt në fund Zana.
Shfaqja do të përcillet me muzikë të kompozitorit Memli Kelmendi dhe skenografi e kostumografi të bullgares Youliana Voykova Najman. Asistente e regjisë është Flutura Çelaj.
Publiku i Prishtinë, këtë shfaqje të finalizuar mund ta shohë me 17 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Pas premierës në këtë datë, reprizat e para vijnë më 18 dhe 19 dhjetor 2018./ KultPlus.com