7 Nëntor, 2017 - 11:05 am
Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me UN Women do të sjellë premierën e shfaqjes “Një ditë”, nën koreografinë e koreografes Christie Coleman.
Kjo shfaqje paraqet ngjarjet e përditshmërisë kosovare në raport me trajtimin ndaj gruas. Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus, se projekti është ofruar nga UN Women.
“Edhe pse kemi dhënë gjashtë premiera për këtë vit, e kemi pranuar këtë projekt për shkak se kemi dashur edhe ne të japim kontributin tonë kur bëhet fjalë për dhunën në familje”, tha Brahimaj.
Premiera do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 25 nëntor ndërsa në këtë shfaqje do të luajnë gjithsej tetë balerinë, në përbërje të katër çifteve.
Pas prezantimit se kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo do të vazhdoj të shfaqet edhe në pesë qytete të tjera të Kosovës duke përfshirë Pejën, Gjakovën dhe Gjilanin./ KultPlus.com