9 Shtator, 2017 - 11:31 am
Regjisori i njohur boshnjak Dino Mustafiq është rikthyer sërish në Tiranë, pas suksesit me veprën “Equus” që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar.
Nën shoqërinë e Ema Andreas, Mustafiq ka dëgjuar intepretimet e aktorëve meshkuj që hynë në audicion për një rol në shfaqjen “Nëna e fëmija”, e Jon Fosse që do të vihet në skenë nga Dino Mustafiq. Dukej një numër i madh djemsh nën moshën 25 vjeç të interesuar për këtë rol.
Në këtë audicion u përzgjodh aktori Matia Llupa. Tulla – Culture Center do të presë ‘Nëna e fëemija’ të Fosse, me regji të Dino Mustafiq në fund të muajit tetor.
Vepra do të mbështetet nga Fondacioni M.A.M.I lindur në Bosnjë, me origjinë shqiptare, Dino Mustafiq, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli pak muaj më parë një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer.
Vendosja në skenë e veprës së Peter Shaffer nuk është hera e parë e bashkëpunimit të regjisorit Mustafiq me teatrot shqiptare.
Me Teatrin shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. “Nëna e fëmija” e dramaturgut norvegjez Fosse është ngjitur më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Bekim Lumit. Drama trajton një temë universal, që është ajo e abortit dhe braktisjes së fëmijës, përmes katër personazheve. Një djalë kthehet tek e ëma pas më shumë se 20 vjetësh në kërkim të arsyes për braktisjen e tij. / KultPlus.com