21 Nëntor, 2019 - 3:31 pm
Xhemile Hysenaj
Teatri Kombëtar i Tiranës, tash e dy vite është temë diskutimi në qarqet kulturore e preokupim serioz i artistëve dhe artdashësve. Ka pasur protesta që e kundërshtonin shembjen e tij, mirëpo deri tash nuk është ardhur në një përfundim definitiv, shkruan KultPlus.
Për të trajtuar këtë temë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nga Tirana, në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës mbajti diskutim të hapur, ku shpalosën shumë gjëra rreth kësaj çështjeje, ku ndër të tjerash u tha se mediat në Shqipëri janë nën kontrollin e Qeverisë dhe se ato nuk raportojnë për krejt çka ka ndodhur dhe është duke ndodhur atje.
Të pranishëm në panelin e diskutimit ishin Edmond Budina, Gent Gaba, Neritan Licaj, Adriana Tolka dhe Juli Emiri.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nga Tirana, shembjen e Teatrit e konsideronte si një mënyrë për shpërlarje parash, si aferë korruptive dhe si një gjest antiart.
Aktori dhe profesori Edmond Budina, ardhjen në Kosovë për këtë diskutim e konsideronte si një hap drejt qytetarizimit. Ai poashtu tregoi se Teatri Kombëtar i Tiranës është edhe Teatri më i mirë që Shqipëria ka.
”Një hap qytetarie që ne jemi këtu sot, sepse debati është ajo që e çon përpara qytetërimin. Në Shqipëri nuk ka teatër më të mirë se ai. Ata duan ta rrënojnë për të përfituar prej truallit publik që është rrotull tij. Aty bëhet fjalë për 9000 metra katrorë, e këta duan të marrin 1000 metra të ndërtojnë një teatër dhe pasë saj të ndërtojnë kulla 20-të katëshe, ku fitimi është marramendës. Kjo është një aferë korruptive, është kundër kushtetutës së Shqipërisë”, potencoi Budina.
Shqetësim tjetër i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ishte edhe fakti se kështu po humbiste identiteti kulturorë dhe kujtesa kombëtare. Pasi që ata treguan se qysh në fillimet e tij, kryeministri Rama, kishte shkatërruar gjithsej 14-të kinema në qytetin e Tiranës.
Ndërsa aktori Neritan Licaj, tregoi se sa e rëndësishme është ruajtja e këtij ambienti kulturorë, duke thënë se shembja e këtij Teatri do të thotë të thyesh ligjet e Kushtetutës së Shqipërisë.
”Beteja për Teatrin nuk është vetëm për ngrohjen e për kushtet tjera, është shumë më e gjerë se kaq. Ne u sulmuam politikisht, jo ne, arti u sulmua politikisht. Për të shembur këtë teatër shkelen gjashtë nene të Kushtetutëssë Shqipërisë dhe tre pika të marrëveshjes së stabilizim asocimit. Kryeministri dhe Qeveria u çmend dhe dërguan në parlament një ligj që shkelte hapur Kushtetutë, ndërkohë Gjykata Kushtetuese ishte jofunksionale. Pra, ne u sulmuam politikisht. Duam apo nuk duam, Enver Hoxha ngriti artin e Republikës së Shqipërisë në nivele profesioniste, sepse deri para ardhjes së tij niveli i artit në Shqipëri ishte në nivele amatore. Edhe pse arti i ideologjizuar, merita i mbetet atij. Ka themeluar Operën, Filharmonië, Galerinë e parë të pikturës profesioniste të Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve etj”, deklaroi ai.
Licaj poashtu deklaroi se arsyeja pse Qeveria dhe Kryeministri janë pro shembjes së teatrit, është pastrimi i parave. ”Aty do të pastrohen para droge dhe të pastrosh para droge në zemër të Tiranës është shumë e frikshme”, tha ndër të tjera Licaj.
Ndër të tjerash u tregua se në Tiranë ka njerëz të shtresave të ndryshme që janë mbledhur të mbrojnë identitetin kulturor të qytetit të Tiranës. Aktorë, regjisorë e dashamirës të artit, janë organizuar në mënyrë që Teatri Kombëtar i Shqipërisë të ruhet 24 orë, mirëpo qeveria e Shqipërisë i ka privuar ata nga korrenti dhe uji.
”Ka arkitektë profesionist që thonë se Teatri mund të restaurohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ata përmendin ”Tallashin” me të cilin është ndërtuar Teatri Kombëtar, si argument. Mirëpo, me po të njëjtin material po ndërtojnë dhe restaurojnë Teatrin e Operas dhe Baletit dhe kanë bërë dhe ArTurbinën”, potencoi aktorja Juli Emiri.
Pjesë e kësaj Aleance ishte edhe gazetari Gent Gaba, i cili edhe pse jo pjesë e këtij komunitetit, ai e mbështeste kauzën e ngritur.
”Aty në atë shesh, njerëzit flasin si qytetarë të lirë të Shqipërisë, nga një qytet që ka hedhur poshtë të gjitha tabutë e mendësisë politike, është ndoshta lëvizja më e rëndësishme qytetare që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Një portestë që zhvillohet pa një kryetar të caktuar, aty ka thjeshtë një objektivë të përbashkët qytetare”, deklaroi Gent Gaba
”Qeveria jonë përdorë argumentet nga më naivet, të cilat kanë vetëm një maskë të përbashkët, që është arroganca. Arrogancë që unë e kam ndjerë që në rininë time të hershme. Teatri ynë mund të duket i vjetër nga jashtë por zemra e tij është e re, sepse vlerat që ka pasur ai ndër shekuj, arti i sotëm nuk arrin dot t’i barazojë.
Ne në Shqipëri na mungon bashkimi, nëse kolegu im nuk vjen të më mbajë krahun në çështjen që na përket të gjithëve, atëherë unë do t’i shtrijë dorën kujtdo që na mban krahun”, tha për publikun aktorja e Teatrit Eksperimental, Adriana Tolka
Kjo aleancë synon ruajtjen e objektit aktual dhe ruajtjen e pronës rreth këtij objekti, duke u thirrur në vlerat arkitektonike, mbamëndjen kolektive dhe në nevojën për ruajtjen e hapësirave publike. / KultPlus.com