14 Gusht, 2024 - 3:07 pm
Alisa Buzhala
Festivali Etnofest çdo vit mbledh së bashku gjenerata të ndryshme për të festuar dhe ruajtur traditat e lashta të shoqërisë tonë. Vetëm 30 minuta nga qendra e Prishtinës, etno-kompleksi i ndërtuar me një arkitekturë unike, autoktone, me gurë e dru, në thellësi të fshatit Kukaj, po mirëpret vizitorë, mysafirë nga gjithë Kosova, bile shpesh hasim edhe në familje e të rinj nga diaspora, që ditët e pushimeve të tyre në vendlindje po i kalojnë në këtë festival, i cili po cilësohet si një festival mallëngjyes ndaj historisë sonë të vjetër, zakoneve dhe virtyteve që na karakterizojnë si popull.
Edicioni i 14-të i Etnofest-it tashmë ka zhvilluar pjesën e parë të programit të tij. Gjatë këtyre 4 ditëve është vërejtur një rritje e prezencës së një publiku të gjerë, dhe jo vetëm nga komuniteti i fushës së artit, por edhe nga adhurues të historisë sonë, atyre që duan ta njohin më thellë kulturën e tyre, traditën e përcjellë gjeneratë pas gjenerate.
Që nga dyert e hapura të etno-kompleksit, në çdo skenë, hapësirë, shtëpi, tavolinë e muze, publiku kalon në një horizont tjetër, në qetësinë që ta jep ky vend, freskinë, e në të njëjtën kohë dinamikën e ngjarjeve që ndodhin duke e bërë çdo vizitor të përjetojë diçka ndryshe, të veçantë, varësisht nga format artistike që parapëlqen, qofshin ato piktura, skulpturat, punimet tradicionale, shfaqjet, performancat e ansambleve, muzika apo ushqimi.
Pra, publikut në Etnofest po i ‘ekspozohet’ një gërshetim i artit dhe kulturës shqiptare në detaje të cilat rikthejnë një nostalgji dhe nevojë për ‘t’u ushqyer’ me ndjenja të thella të origjinës dhe kuptimit të saj. E kur jemi te të ushqyerit, si shoqëri, njëra ndër traditat që ende e konsumojmë është ajo e ushqimit tradicional. Pitja dhe flija, të shoqëruara me djathë natyral dhe perime nga bahçet e shtëpive tona, janë ndër pjatat e preferuara të çdo familje shqiptare, e sidomos në bashkimet familjare. Ndaj gatimi i ushqimit tradicional mbetet edhe sot e kësaj dite simbol i bashkimit në sofër, ndjesi e ngrohtësisë, dashurisë e lirisë të të qenurit pranë njerëzve më të dashur, duke shijuar pjatat e begatshme.
Gatimi i ushqimeve tradicionale si pjesë e gastronomisë në Etnofest është një nga momentet më të rëndësishme të festivalit. Në ditën e katërt, përgjatë ditës pati trajnime nga gratë që gatuanin ushqimet duke sjellë në jetë shijen dhe aromën e traditës shqiptare. Ky aktivitet nuk është vetëm një demonstrim, por një rit që lidh të kaluarën me të tashmen, duke i dhënë brezave të rinj mundësinë të mësojnë teknikat e vjetra të gatimit që janë trashëguar nga gjyshet tona.
Në Etnofest, gatimi shndërrohet në një formë arti, ku çdo hap i procesit është i mbushur me kujtime dhe rrëfime të së kaluarës. Ky aspekt i gastronomisë tradicionale jo vetëm që ruan dhe promovon kulturën shqiptare, por gjithashtu thekson rëndësinë e ushqimit si një element kryesor i identitetit kombëtar. Një karakteristikë tjetër e identitetit tonë, përgjatë shekujve janë edhe veshjet e punuara me dorë.
Këto veshje zënë një vend të veçantë edhe në Etnofest, ku simbolet, ngjyrat dhe detajet e veshjeve i gjejmë në copëza të ndryshme, në mindila, çorape, fustana e këmisha të ekspozuara gjithandej.
Gratë nga Dukagjini, si Buqe Alaj dhe Mihrije Elshani, që janë pjesë e festivalit që nga edicionet e para, janë një shembull i gjallë i ruajtjes së trashëgimisë familjare. Ato sjellin në festival veshjet kombëtare të punuara me gërshërë dhe gjilpëra, duke përdorur veglën tradicionale ‘veku’ për qepjen këtyre veshjeve. Zonjat potencuan me plot zë, që këto punime dore i përmbushin shpirtërisht dhe dëshirojnë që këtë zanat ta përcjellin brez pas brezi, ashtu siç gjyshet e tyre i kishin mësuar.
E për t’u rikthyer në ecurinë e programit të ditës së katërt, sigurt edhe në mbrëmjen e 13 gushtit nuk mungoi një shfaqje. Shfaqje e destinuar për paraqitje në këtë natë ishte ajo e aktoreve Anisa Ismaili dhe Fitore Broqi. ‘Jepi ngjyrë jetës’ ishte performanca që iu prezantua publikut, i cili mirëpriti fabulën e kësaj paraqitje.
Kapërcimi mes 2-3 kohërave, duke vënë në pah revoltimin, plagët dhe traumat, e mbi të gjitha mësimet dhe përvojat që ndryshojnë jetën, ishin tematika që aktoret përmes rrëfimeve të bazuara në ngjarje të vërteta, përcollën mesazhet sensibilizuese ndaj temave të ndjeshme siç janë dhuna në familje, ndalimi i shkollimit dhe vendosmëria për t’i ndjekur ëndrrat.
‘Nuk ka qeli që mundet me i burgos andrrat’ ishte një nga shprehjet që gjallëroi edhe publikun, i cili kishte stërmbushur amfiteatrin e asaj skene. Në fund, shikuesit u ftuan për të ndarë historitë e tyre personale, gjë kjo që i dha mundësi publikut për ndërlidhje më intime me gjithë konceptin e kësaj pjese artistike.
E pas këtij emocioni sublim, vizitorët u panë ta shijonin deri në mesnatë, natën e cila u karakterizua nga energjia pozitive, që po mbizotëronte pistën e vallëzimit, mes këngëve të bukura shqipe, të kënduara njëzëri nga publiku, bashkë me grupin muzikor ‘Don’t Listen to Your Neighbors’ të cilët kishin përzgjedhur këngë të moçme, të përpunuara e interpretuara sipas stilit të tyre.
Përderisa përmbyllet edhe një natë tjetër e këtij festivali, kuptojmë që Etnofest është një rrëfim i gjallë i kulturës sonë. Çdo element, nga aromat e ushqimeve tradicionale deri te zëri i fuqishëm i këngëve dhe valleve, na e sjell të kaluarën në të tashmen, duke krijuar një lidhje të pandashme mes brezave./ KultPlus.com